Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku i është përgjigjur Lëvizjes Vetëvendosje, me një shkrim në rrjetet sociale.
“Kur do ta kuptojnë? ‘Kundërshtimet e juaja s’na lënë përshtypje; kemi parë se çfarë duartrokisni!’”, shkruan Abdixhiku.
Ai me ironi falënderon eksponentët e LVV-së për “brengën” që kjo e fundit shfaqi për bashkëpunimin e LDK-së me Partinë Demokratike të Kosovës.
“I falënderojmë të gjithë eksponentët e Vetëvendosjes dhe kundërshtarët tanë ideologjikë, që këto ditë po na tregojnë se si duhet të udhëhiqet LDK-ja, çka dëshiron elektorati ynë dhe si duhet të jetë e ardhmja jonë si parti. Jemi të bindur se e kanë për “të mirën tonë”. Por të na mirëkuptojnë e falin për mungesën e përgjigjeve ndaj brengave të tyre. Jemi bukur të zënë. Sepse momentalisht i kemi 9 gara për t’i bërë. Të dielën duam veç fitore; dhe na besoni, do të fitojmë”, ka shkruar Abdixhiku.
Dejona Mihali, koordinatore e Komiteteve në Lëvizjen Vetëvendosje shkroi në rrjetin social “Facebook”, duke kritikuar bashkëpunimet e nivelit lokal mes LDK-së dhe PDK-së.
“Drejtuesit e LDK-së paradoksalisht duan të shuajnë LDK kudo në komuna si Prizreni, Mitrovica, Gjakova, Theranda, vetëm me marrë “votat e Uranit” për Përparim Ramën. Dhe natyrisht me bë çmos me tregu që nuk janë me VETËVENDOSJE!-n por me PDK kudo. Pse e ndërruan kryetarin këta? Isa Mustafa më mirë dinte me u marrë vesh me PDK-në”, kishte shkruaj Mihali.


