Sporti

Nuza e demanton lajmin për dënimin e tij nga FFK: Po bëni fushatë kundër gjyqtarëve, nëse keni fakte që kam shajtë – publikoni ato!

11/03/2025 10:19
nga:Lorik J

Genc Nuza, shtatë herë gjyqtari më i mirë i futbollit në Kosovë ka demantuar lajmin për denimin e tij nga Federata e Futbollit të Kosovës, duke thënë se Komisioni Disiplinor nuk ka marrë asnjë vendim ndaj tij.

Para dy ditësh, u raportua se Nuza është denuar nga FFK me 4 xhiro mos paraqitje në asnjë duel si gjyqtar (pasi ka fyer zyrtarët e Gjilanit), mirëpo ishte Nuza ai i cili e demantoi lajmin, duke thënë se nuk ka asgjë të vërtetë, shkruan GazetaBlic Sport.

“Unë si gjyqtar s’kam të drejtë të kyçem në emisione live, por aq shumë është banalizu lajmi, sa që e mora riskun që edhe të denohem për inkuadrimin tim në emision, vetëm që ta pasqyrojë të vërtetën”, tha fillimisht Genc Nuza në emisionin “Kampionët”.

“Komisioni Disiplinor i FFK nuk e ka bë asnjë denim ndaj meje. Do të paditesh për këtë pjesë. Unë jam gjyqtari i parë që kam fitu padi ndaj një trajneri dhe do jem gjyqtari i parë që fitoj padi ndaj një gazetari”, tha Nuza duke iu referuar moderatorit që ka publikuar lajmin për denimin e tij prej 4 xhiros.

Në fund Nuza potencoi faktin se gjatë duelit Gjilani-Dukagjini ai nuk ka bërë ndonjë gabim profesional në fushë – ndëersa tha se nëse dikush ka fakte që ai ka fyer gjyqtarët e Gjilanit, le t’i publikojnë.

“Në këtë rast dhunuesi është bë viktimë, e viktima u bë dhunues. A ka naj gabim profesional gjatë lojës? A keni fakte që i kam shajtë unë, publikoni. Jeni duke bë fushatë ndaj gjyqtarëve, jo veç ndaj meje. Duhet të na lejoni ta kryejmë punën, sepse referimi është problem global, jo në Kosovë”, tha ndër të tjerash Nuza.

/GazetaBlic Sport