Smajl Latifi, kandidat i AAK-së për kryetar të Rahovecit, ka bërë homazhe sot te varret e heronjve të kombit, Fahri Fazliu e Afrim Zhitia, raporton Gazeta Blic.
“Rënia e tyre u bë dritë e lirisë, trimërisë dhe atdhedashurisë për lëvizjen kombëtare çlirimtare, për veprimtarët dhe luftëtarët e UÇK-së. Fahriu e Afrimi e panë herët dhe qartë, që liria nuk fitohet pa sakrificë, pa luftë e pa rezistencë të armatosur”, ka shkruar ai në Facebook.
Postimi i tij i plotë:
Heronjtë e Kombit, Fahri Fazliu e Afrim Zhitia, ishin ndër të parët që thyen prangat e robërisë, duke i dhënë kushtrim të fuqishëm lirisë dhe duke u bërë frymëzim për heronjtë e dëshmorët pas tyre, kur ranë në betejë të armatosur kundër armikut, sot, 36 vjet më parë.
Më 2 nëntor 1989, Fahriu e Afrimi bënë një qëndresë heroike në një betejë epike, duke krisur pushkët për orë me radhë kundër forcave të policisë serbe, në një bodrum, që ishte bazë e tyre për aktivitete politike dhe përgatitje ushtarake.
Rënia e tyre u bë dritë e lirisë, trimërisë dhe atdhedashurisë për lëvizjen kombëtare çlirimtare, për veprimtarët dhe luftëtarët e UÇK-së. Fahriu e Afrimi e panë herët dhe qartë, që liria nuk fitohet pa sakrificë, pa luftë e pa rezistencë të armatosur.
Që të dy janë të përjetshëm, siç do të jetë i përjetshëm edhe kombi shqiptar!
Lavdi Heronjve të Kombit, Fahri Fazliu e Afrim Zhitia!


