Lajme

“Presidenti Rugova kishte respekt të veçantë për të”/ Haraqija kujton Fatos Nanon: E llogaris ndër 10 figurat më të ndritshme të politikës shqiptare

11/02/2025 15:31
nga:G B

Astrit Haraqija, një nga njerëzit më të afërt të presidentit Ibrahim Rugova, ka kujtuar ish kryeministrin shqiptar, Fatos Nano, i cili u varros sot, raporton Gazeta Blic.

Ai ka thënë se Presidenti Rugova ka pasur respekt të veçantë për të.

“Me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pas luftës, z. Nano e nderoi Presidentin me titullin “Doktor Honoris Causa”, ndërsa Presidenti, me ftesë të tij, qëndroi tri ditë në Tiranë në vizitë zyrtare.

Më kujtohet edhe 22 janari, dita kur z. Nano ishte i pari ndër liderët shqiptarë që erdhi për ngushëllime në familjen Rugova. Familja nuk e ka harruar asnjëherë atë gjest.

Një vit më vonë, me rastin e thyerjes së zisë dhe martesës së djalit të Presidentit, familja Rugova e ftoi z. Nano si mik të shtëpisë”, ka shkruar ai në Facebook.

Haraqija ka shtuar se Fatos Nanon e llogarit si ndër 10 figurat më të ndritshme të politikës shqiptare, një njeri që kontribuoi që ne sot si komb të gëzojmë liri, shtet dhe dinjitet kombëtar — pa folklor, por me vlera të qëndrueshme.

Postimi i tij i plotë:

Kujtim dhe reflektim personal

Nuk po e shkruaj këtë shkrim për politikën e ditës, por si një kujtim të sinqertë për një periudhë që e kam jetuar nga afër.

Që fëmijë kam pasur fatin të jem pranë Presidentit Rugova — në periudhën 1999 deri më 2006. Nuk isha aty pse isha më i dijshmi; përkundrazi, përreth tij kishte shumë njerëz që prej viteve ‘89 kishin njohuri e përvojë të madhe.

Por Presidenti Rugova më ka dashur dhe më ka respektuar, sepse — siç më ka thënë vetë — isha i mençur dhe i sinqertë.

Duke qenë pranë tij, kam parë shumë gjëra që nuk i kam dëgjuar nga të tjerët, dhe sot, kur kujtoj figurat e asaj kohe, përpiqem t’i ndaj pa emocione, as pa folklor, thjesht si dëshmi të një kohe që s’kthehet më.

Një prej atyre figurave ishte edhe Kryeministri i ndjerë Fatos Nano.

Presidenti Rugova kishte respekt të veçantë për të, dhe kjo nuk ishte rastësi. Me vendim të Këshillit të Ministrave të Shqipërisë, pas luftës, z. Nano e nderoi Presidentin me titullin “Doktor Honoris Causa”, ndërsa Presidenti, me ftesë të tij, qëndroi tri ditë në Tiranë në vizitë zyrtare.

Më kujtohet edhe 22 janari, dita kur z. Nano ishte i pari ndër liderët shqiptarë që erdhi për ngushëllime në familjen Rugova. Familja nuk e ka harruar asnjëherë atë gjest.

Një vit më vonë, me rastin e thyerjes së zisë dhe martesës së djalit të Presidentit, familja Rugova e ftoi z. Nano si mik të shtëpisë.

Ai e pranoi ftesën me shumë kënaqësi, edhe pse nuk ishte më në pushtet — dhe u ndje i nderuar për respektin që i tregoi familja.

E them këtë me bindje: përtej emocioneve, respekti dhe njerëzia janë ato që mbesin.

Sot, kur i shoh zhvillimet në të dy anët e kufirit, unë e llogaris z. Fatos Nano ndër 10 figurat më të ndritshme të politikës shqiptare, një njeri që kontribuoi që ne sot si komb të gëzojmë liri, shtet dhe dinjitet kombëtar — pa folklor, por me vlera të qëndrueshme.

Askujt spo kerkoj me ja ndrru mendimin por kam drejte mu shpreh faqen time