Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me kryetarin e Kuvendit Dimal Basha, zëvendëskryeministren në detyrë Donika Gërvalla dhe bashkëpunëtorë, bëri homazhe në nderim të dëshmorëve Afrim Zhitia dhe Fahri Fazliu, në 36-vjetorin e rënies së tyre.
Gjatë homazheve në Velani, Kurti tha se rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare dhe dëshmoi se populli i Kosovës nuk nënshtrohet.
Ai theksoi rëndësinë e studimit të jetës dhe veprës së tyre për brezat e ardhshëm. “Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë”, u shpreh Kurti.
Prononcimi i plotë i Kurtit:
Para 36 vjetëve, heroikisht, në ballafaqim të drejtpërdrejt me forcat armike të Jugosllavisë e të Serbisë okupatore, ranë Fahri Fazliu dhe Afrim Zhitia. Ata, që të dy ishin shumë të rinj, por edhe shumë të pjekur. Fahriu ishte 26 vjeç, ndërkaq Afrimi ishte 24 vjeç.
Rënia e tyre zgjoi ndërgjegjen kombëtare në nivele të larta, por gjithashtu edhe sensibilizoi opinionin publik ndërkombëtar se, në Kosovë ka një popull, i cili nuk nënshtrohet dhe, i cili do të rezistojë deri në lirinë për veten e tij.
Është tejet interesante se si rënia heroike e Afrimit dhe Fahriut, i ngjanë aq shumë rënies heroike 5 vjet më parë të Rexhep Malës e të Nuhi Berishës. Fahriu e Afrimi në “Breg të Diellit”, ndërkaq, Rexhepi e Nuhiu në “Kodër të Trimave”. Që të dy, luftuan deri në fund, ndërkaq, me 2 nëntor të vitit 1989 në bllokun e III-të, në hyrjen e III-të, aty ku e kishin bazën e tyre ilegale, Fahriu e Afrimi luftuan për më shumë se 6 orë dhe kjo tregon se çfarë luftëtarësh të paepur kanë qenë ata, e natyrisht që kishin prej kujt të mësonin, prej gjithë atyre heronjve, dëshmorëve, luftëtarëve të rilindjes sonë kombëtare e deri pra te Rexhep Mala e Nuhi Berisha, e në anën tjetër, ata i paraprinë heronjve e dëshmorëve që do të vijnë pas tyre; prej Zahir Pajazitit e Ilir Konushevcit deri te lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare e Kosovës me mbi 2 mijë dëshmorë të kombit.
Ka nevojë që jeta, vepra, rënia, konteksti politik shoqëror i rënies heroike të Afrimit e të Fahriut, të studiohet edhe më shumë nga historianët, sociologët dhe shkencëtarët në Kosovë, sepse liria e brezave të ardhshëm, varet se sa mirë e mësojmë dhe e përvetësojmë jetën edhe veprën e atyre, të cilët bënë gjithçka për lirinë e popullit shqiptar.
Lavdi Afrimit e Fahriut dhe gjithë dëshmorëve të kombit tonë!


