Ish-shefi i Shërbimit Informativ në Shqipëri, Fatos Klosi, ka zbuluar detaje nga takimi i parë në mes të zyrtarëve të CIA-s dhe UÇK-së.
Ai ka thënë se CIA kishte disa kërkesa për UÇK-në, mes të cilave, edhe të mos pranonin financime nga islamikët si dhe të mos ndërmerrnin ndonjë aksion jashtë Kosovës.
”Financimi, mos kishte të bënte me trafiqet, shqiptarët në atë kohë kishin lidhje me gjithë Evropën. UÇK premtoi që në fillim se nuk kishin financime të tilla, kishin financime vetëm nga kosovarët që ishin në perëndim. E dyta, ishte problemi i madh fakti që të mos quheshin terroristë, CIA i kërkoi UÇK-së që të mos bënin asnjë vepër jashtë Kosovës, se pastaj mediat mund t’i quanin terroristë”.
Ai ka rrëfyer për Opinion, edhe një takim në Stamboll, mes Shërbimit Informativ Shqiptar, dy përfaqësuesve të UÇK-së dhe ‘disa shërbimeve sekrete mike’.
Klosi foli edhe mbi kërkesat kryesore që ishin për UÇK-në.
”Në Kosovë ishte luftë çlirimtare. Në takimin e parë u biseduan seriozisht ca gjëra. Financimi pra, e dyta, luftë terrorizmit dhe e treta ishte nga eksperienca e Bosnjës, që mirë ishte që nuk do kishte pranim të ndihmave nga islamikët. Ne dërguam një ekip në Stamboll, ku kishte një takim me shërbimet mike, kishte edhe njerëz nga UÇK. Ata na thanë se kishin eksperienca të hidhura nga Bosnja. Bosnja kishte të tjera kondita. Ishin të detyruar të pranonin edhe ndihma islamike. CIA nuk kishte absolutisht asnjë pakënaqësi për UÇK-në. Kishin takime me udhëheqësit e UÇK-së”, thotë ai.
Klosi rrëfen takimin e parë CIA – UÇK: I quajtën çlirimtarë
”Kryesisht në fillim amerikanët kishin opinionet e tyre, kishin merakun e tyre me Serbinë fillimisht. Sigurisht biseduam, pas takimit të parë me UÇK-në fola me ta. U interesuan dhe e quajtën një gjë të mirë që shërbimi jonë pati kontakt. Unë bisedova me partnerët tanë në Tiranë. Ata kërkuan ta kemi një takim. Takimi u mbajt në zyret e ShISh në Tiranë. Aty ishin dy përfaqësues të UÇK-së. Që në fillim CIA e quajti UÇK-në çlirimtare. Unë kasha konstatuar se kishte një diferencë të madhe mes mendimit të CIA dhe Departamentit të Shtetit. CIA ishte e informuar me atë që po ndodhte në UÇK”.
Kujtojmë se ish-shefi i Shërbimit Informativ në Shqipëri, Fatos Klosi, ka deklaruar se është ftuar si dëshmitar në Gjykatën e Hagës për të dëshmuar në mbrojtje të UÇK-së.


