Më 26 tetor përfundon afati për formimin e qeverisë së re, që duhet të propozohet nga Lëvizja Vetëvendosje, si parti e parë në zgjedhjet e 9 shkurtit.
Por, sipas deklaratave të Albin Kurtit, i mandatuar nga presidentja Osmani për kryeministër, qeveri mund të mos kemi brenda këtij afati.
Gjatë qëndrimit të tij në Londër, ai tha para mërgimtarëve se zgjedhjet duket të jetë alternativë.
“Nuk është kollaj, se, s’di se si t’jua shpjegoj, ndoshta e keni dëgjuar edhe ju vetë, është intoksikuar atmosfera shumë, ka shumë xhelozi e inati e cinizëm shumë më shumë sesa ide, punë e pasion. Por, jemi ku jemi dhe do të përpiqemi ta bëjmë Qeverinë. Por, siç duket, alternativa është se do të shkojmë në zgjedhje prapë”, deklaroi Kurti.
Ish diplomati, Avni Arifi, thotë për Gazeta Blic se fillimisht shtrohet pyetja se pse ka shkuar Kurti atje.
“Së pari, shtrohet pyetja pse ka shkuar Kryeministri në detyrë atje? Cili është qëllimi dhe me shpenzime të kujt ka shkuar? Cilin nga zyrtarët britanik do ta takojë? Nëse asnjërin, atëherë ky është abuzim me paranë publike sepse nuk është i paraparë turizmi në shpenzimet e Kryeministrit”, ka thënë ai.
Ndërsa, lidhur me formimin e qeverisë, Arifi thotë se Kurti ka ofenduar mërgatën me përgjigje të odave, teksa ai ka dështuar që të kontrabandojë deputetë nga partitë tjera për formim të qeverisë.
“Sa i përket pyetjes për qeverinë, vet përgjigja e Kryeministrit është një ofendim për diasporën sepse u jep përgjigje të odave. Inati e xhelozia nuk janë arsye pse e refuzojnë atë por projekti i tij që është në dëm të Kosovës. Unë besoj se përpjekjet e tij për të kontrabanduar deputetë nga partitë e tjera kanë dështuar dhe sipas të gjitha gjasave shkojmë në zgjedhje”, ka vlerësuar Avni Arifi për Gazeta Blic.
Ndërsa, ish diplomatja Alma Lama, thekson se Kurti është fajtor për mungesën e bashkëpunimit me partitë politike, pasi i ka ofenduar e shpallur tradhtarë, ndërsa tani tenton t’ua hedhë fajin.
“Mendoj se kreu i VV-së është fajtor për klimën e mungesës së bashkëpunimit ndërmjet subjekteve politike në Kosovë. Konkretisht, ai në vazhdimësi ka përdorur fjalor ekstrem politik duke i shpallur tradhtarë dhe bashkëpunëtorë të Serbisë kundërshtarët politik, ose duke i ofenduar siç bëri natën e zgjedhjeve kur i quajti hajvanë. Tani që askush nuk dëshiron të bashkëpunojë me të për shkak të sjelljeve dhe fjalorit të tij, tenton t’ua hedhë fajin të tjerëve. Sjellje tipike narcizoide, ku asnjëherë nuk merr përgjegjësi për situatat që i krijon vet”, ka vlerësuar ajo për Gazeta Blic.
Por, a janë zgjedhjet e jashtëzakonshme zgjidhje për situatën aktuale?
Sipas Lamës, rezultati mund të dalë i përafërt dhe VV sërish mund ta vazhdojë bllokadën.
“Zgjedhjet e tjera nuk janë zgjidhja e vetme sepse rezultati i tyre mund të jetë i përafërt, dhe sërish do të kërkohet bashkëpunim ndërmjet partive, por duket se të gjitha subjektet janë pajtuar me këtë alternativë. Mos të harrojmë se nëse VV del partia e parë mund ta vazhdojë sërish lojën për bllokimin e Kuvendit. Kjo që po ndodhë është antidemokratike dhe anti kushtetuese”, ka deklarua Alma Lama./Gazeta Blic/


