Shkelqim Hajdari, koordinator i protestës në Tiranë tha se gjithçka është gati për protestën e nesërme.
Ai u shpreh se nesër do të ketë shqiptarë nga të gjitha anët e Shqipërisë, por edhe nga Kosova, Maqedonia e Veriut, Presheva e diaspora.
“Është gjithçka gati, përfshirë edhe përmirësimin e kushteve atmosferike, kjo do të thotë që protesta e nesërme e ka edhe bekimin lart nga qielli. Këtu ne kemi ditë që punojmë bashkë me drejtuesit e organizatave të veteranëve dhe invalidëve të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe gjithçka është gati, është caktuar vendi ku do të parkohen mjetet që vijnë nga Kosova, nga Maqedonia, nga Presheva, Mali i Zi, që do të jetë bulevardi i ri “Zogu i parë”, që është shumë afër sheshit qendror, ku do të mbahet mitingu”.
“Janë marrë masa të një transmetimi të nivelit të lartë nga televizonet në Shqipëri, ka thirrje nga të gjitha shoqatat jopolitike në Shqipëri. Pra, nesër në shesh do të ketë shqiptarë jo vetëm që banojnë në Tiranë, por edhe nga rrethet e tjera të Shqipërisë, por edhe nga ata që do vijnë nga Kosova, nga Maqedonia dhe nga diaspora”, u shpreh ai.
Tutje, Hajdari tha se sheshi “Skenderbej” do jetë i vogël për turmën e madhe të njerëzve.
“Mendoj se sheshi “Skenderbej”, që është një nga sheshet më të mëdha, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Ballkanin, nesër do jetë i vogël për të mbajtur turmën e madhe të njerëzve që do vërshojnë që nga rrugicat e Tiranës, që nga qytetet e Shqipërisë dhe autobusët e makinat pafund që pritet të vijnë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe trojet e tjera”, u shpreh tutje ai./KlanKosova/


