Në selinë e NATO-s në Bruksel është duke u mbajtur takimi i Ministrave të Mbrojtjes së vendeve anëtare të NATO-s.
Në adresimin e tij për media, Sekretari i Përgjithshëm, Mark Rutte, ka thënë se tema qendrore e këtij ministeriali do të jetë lufta në Ukrainë, duke deklaruar se kryesorja është që ajo të qëndrojë në luftë.
Ai është shprehur se Aleanca Veri-Atlantike është e gatshme që të mbrohet në rast të kërcënimeve që mund të vijnë nga kushdo.
”Vendet anëtare janë të afta që të reagojnë dhe për këtë të gjithë duhej të jenë të sigurt”, është shprehur Rutte.
Në pyetjen e Klan Kosova për deklarimet e fundit të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq se “do të ketë luftë dhe të gjithë po përgatiten për të”, ai është përgjigjur: “Vëmendja jonë është në zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Ndoshta do të flitet në përgjithësi në këtë takim, por jo në nivel të tillë”.
Disa nga ministrat e Mbrojtjes kanë dhënë deklarimet e tyre.
Një prej tyre është David Mc.Guinty i Kanadasë që është shprehur se ky samit do të jetë një pikë kthese, duke folur për luftën në Ukrainë.
Sekretari amerikan i Luftës, Pete Hegseth, është pritur veçantë nga Rutte dhe është shprehur në adresimin e tij se synimi është që në Ukrainë të sillet paqja.
Këtë samit i cili po mbahet në Bruksel, po e përcjell nga afër gazetari i Klan Kosovës, Liridon Zeqiri.


