Sporti

Ramiz Krasniqi: Sllovenia një kombëtare e fortë, presim angazhim maksimal dhe fitore nga futbollistët tanë

10/10/2025 15:56
nga:Mergim Rreci

Kosova dhe Sllovenia do të përballen sonte në stadiumin ‘Fadil Vokrri’.

Pritet të jetë një ndeshje shumë interesante, me ‘Dardanët’ që kërkojnë vetëm pikët e plota në tempullin e futbollit në kryeqytet, shkruan GazetaBlic Sport.

Analizuar shifrat e basteve, Kosova e ka epitetin e kombëtares favorite ndaj Sllovenisë, por që natyrisht, gjithçka duhet të dëshmohet në fushë. Një forcë e shtuar për futbollistët dardanë, do të jetë nga tribunat, me të gjitha biletat që janë shitur për këtë përballje.

Në një prononcim para ndeshjes, trajneri i mirënjohur kosovar, Ramiz Krasniqi, tha për ‘GazetaBlic Sport’, se është optimist për një paraqitje shumë të mirë të djelmoshave të drejtuar nga Franco Foda.

Krasniqi vlerësoi poashtu kundërshtarin, kombëtaren e Sllovenisë, duke thënë se është një kombëtare mirë e komponuar, e cila duhet të respektohet maksimalisht.

Paraqitja e djelmoshave tanë ndaj Suedisë ka qenë e shkëlqyeshme në çdo aspekt. Mendoj se kjo do të reflektohet edhe në ndeshjen e sotme ndaj Sllovenisë. Futbollistët e kanë kuptuar që pa angazhim të jashtëzakonshëm, nuk ka rezultat. Ata janë titullarë dhe në formë të mirë tek skuadrat e tyre ku luajnë. Jam shumë optimist, por duhet të kemi kujdes, sepse Sllovenia është një kombëtare shumë e fortë. Kanë një grup të shkëlqyeshëm, të cilët luajnë edhe në skuadra të mëdha. Me përkrahjen e madhe nga tribunat dhe me angazhimin e madh të futbollistëve të fushë, mendoj se mund të fitojmë. Megjithatë, edhe një barazim nuk do të ishte zhgënjim për ne, duke pasur parasysh kundërshtarin”, deklaroi Krasniqi.

/GazetaBlic Sport/