Lajme

Rrugë alternative dhe parkingje nëntokësore, plani i Besnik Osmanit për një Fushë Kosovë pa kolona

10/07/2025 13:48
nga:Genita C

Besnik Osmani, kandidat i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Fushë Kosovën, ka theksuar se çështja më e rëndësishme lidhet me mobilitetin.

Ai për GazetaBlic ka bërë të ditur se është përgatitur një plan i qëndrueshëm për këtë çështje, i cili ka filluar të zbatohet, por ende nuk ka dhënë rezultatet përfundimtare.

“Ne kemi bërë një plan të mobilitetit të qëndrueshëm i cili ka filluar zbatimin, por ende nuk i ka dhënë rezultatet përfundimtare. Edhe programi qeverisës ka adresuar çështjet kritike të mobilitetit që nënkupton lidhjen e Fushë Kosovës me rrugë alternative me Prishtinën, kjo nënkupton menaxhimin e parkingjeve brenda qytetit, trajtimin e disa rrugëve njëkahëshe dhe ndërtimin e tri parkingjeve nëntokësore.”

Osmani ka shtuar se çështja e trafikut në Fushë Kosovë nuk është e izoluar dhe varet nga shumë faktorë, duke përfshirë edhe kryeqytetin dhe frekuencën e dy autostradave kryesore.

“Çështja e trafikut në Fushë Kosovë, nuk është një çështje e izoluar, pra varet nga shumë faktorë, varet edhe nga kryeqyteti dhe nga frekuenca e dy autostradave perëndim dhe jug.”

Ai ka përmendur se gjatë mandatit të tij prioritet do të jenë rrugët alternative, por se nuk është e sigurt nëse ato do të jenë një zgjidhje përfundimtare, pasi numri i automjeteve që kalojnë nëpër Fushë Kosovë është shumë i madh dhe faktorë të jashtëm ndikojnë ndonjëherë më shumë se ata të brendshëm.

“Pra, në mandatin tonë çështja kryesore që do të adresohet janë rrugët alternative, por a do të jetë kjo një zgjidhje përfundimtare, është pak e paqartë për t’u thënë sepse kemi diku rreth 73 mijë vetura që kalojnë përmes Fushë Kosovës dhe ndonjëherë faktorët e jashtëm mund të jenë më dërtues se sa ata të brendshëm.”