Lajme

Rikthehen sanksionet ndaj Iranit 10 vjet pas marrëveshjes bërthamore

09/28/2025 09:10
nga:G B

Sanksionet gjithëpërfshirëse ekonomike dhe ushtarake të OKB-së janë rivendosur ndaj Iranit – 10 vjet pasi ato u hoqën në një marrëveshje të rëndësishme ndërkombëtare mbi programin e tij bërthamor.

Masat e reja hynë në fuqi pasi tre partnerët evropianë të marrëveshjes – Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Gjermania – aktivizuan të ashtuquajturin mekanizëm “kthimi në kohë”, duke akuzuar Iranin për “përshkallëzim të vazhdueshëm bërthamor” dhe mungesë bashkëpunimi, shkruan BBC, transmeton Dukagjini.

“Ne i bëjmë thirrje Iranit të përmbahet nga çdo veprim përshkallëzues”, thanë ata në një deklaratë të përbashkët, duke shtuar: “Rivendosja e sanksioneve të OKB-së nuk është fundi i diplomacisë”.

Presidenti i Iranit, Masoud Pezeshkian, këmbënguli javën e kaluar se vendi nuk kishte ndërmend të zhvillonte armë bërthamore.

Irani rriti aktivitetin e tij të ndaluar bërthamor pasi SHBA-të hoqën dorë nga marrëveshja në vitin 2016. Donald Trump tërhoqi SHBA-të në mandatin e tij të parë si president, duke kritikuar marrëveshjen – Planin e Përbashkët Gjithëpërfshirës të Veprimit (JCPOA) – të negociuar nën paraardhësin e tij Barack Obama si të gabuar.

Bisedimet midis tre vendeve dhe Iranit në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në fillim të kësaj jave nuk arritën një marrëveshje që do të kishte shtyrë rivendosjen e sanksioneve.

Sipas Traktatit të Mospërhapjes së Armëve Bërthamore, Irani është i detyruar ligjërisht të lejojë inspektimet e vendeve të tij bërthamore, dhe të premten IAEA konfirmoi se ato kishin rinisur.