Pritjet në radhë në sportelet e komunës nuk do të shihen më për shkak se kryetari Agim Aliu ka prezantuar para qytetarëve platformën më të re digjitale për Komunën e Ferizajt.
Platforma qeverisëse 2025-2029 për Shërbimet Publike & Administratën, për Ferizajn e Gjeneratës Tjetër është prezantuar sot nga kryetari Aliu.
Përmes një video të shkurtër, Aliu ka prezantuar në pika të shkurta të gjitha funksionet që mund të kryhen nga qytetarët përmes kësaj platforme.
“Ferizaj Digjital do t’i sjellë shërbimet komunale në telefonin tënd. Administratë efikase, shërbime të shpejta dhe transparencë të plotë. Të gjitha shërbimet komunale ofrohen në formë digjitale e të integruara në një aplikacion platformë ku do të merrni njoftimet por edhe të gjurmoni statusin e kërkesës suaj pa pritur në radhë, pa trokitur në dyert e zyrtarëve komunal”, deklaroi Agim Aliu.
Kryetari i Ferizajt bëri të qartë se të gjitha shërbimet komunale qysh nga aplikimi për subvencione e aplikimi për leje ndërtimore do të kryhen në mënyrë digjitale përmes platformës së re të prezantuar sot.
Gjithashtu ai bëri të qartë se për çdo pakënaqësi apo parregullsi qytetarët do ta kenë të mundur opsionin e ankesës në mënyrë të shpejtë dhe anonime.
Përmes kësaj platforme, Aliu synon transparencë, llogaridhënie, qasje më të lehtë për qytetarët dhe digjitalizim të administratës në komunë.


