Nënkryetari i Prishtinës, Shkëmb Manaj, ka marrë pjesë në promovimin e librit “SALI ÇEKAJ – Luftëtar i orëve të para të lirisë së Kosovës”, një vepër që rikujton jetën, angazhimin dhe sakrificën e njërit ndër figurat më të lavdishme politike e ushtarake të Republikës së Kosovës, raporton Gazeta Blic.
“Qeverisja jonë në Prishtinë e udhëhequr nga Kryetari Përparim Rama ka vendosur që në kuadër të Kompleksit Memorial të Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” në Velani, një hapësirë e merituar do t’i kushtohet edhe Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, krahas figurave të tjera më të shquara politike e ushtarake të shtetndërtimit të Kosovës”, ka shkruar Manaj.
Postimi i tij i plotë
SALI ÇEKAJ DO TË PËRJETËSOHET NË KRYEQYTET
Nën patronatin e Kryetarit të Kryeqytetit, Përparim Rama, sot u promovua libri “SALI ÇEKAJ – Luftëtar i orëve të para të lirisë së Kosovës”, një vepër që rikujton jetën, angazhimin dhe sakrificën e njërit ndër figurat më të lavdishme politike e ushtarake të Republikës së Kosovës.
Sali Çekaj ishte jo vetëm një luftëtar i orëve të para, por edhe një jurist i jashtëzakonshëm, i cili i pari e vuri në praktikë Kushtetutën e Kaçanikut, duke e shndërruar atë nga dokument politik në akt real të rezistencës shtetformuese. Ai u dallua si politikan vizionar, udhëheqës i formacioneve të para të armatosura të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe një strateg i rrallë që lidhi përpjekjet e mërgates shqiptare me ato brenda Kosovës, duke i dhënë kuptim të plotë rezistencës së organizuar. Çekaj ishte një ndër bashkëpunëtorët më të ngushtë të Presidentit historik, Dr. Ibrahim Rugova, me të cilin ndau vizionin për liri, pavarësi dhe shtetësi të Kosovës.
Qeverisja jonë në Prishtinë e udhëhequr nga Kryetari Përparim Rama ka vendosur që në kuadër të Kompleksit Memorial të Pavarësisë “Dr. Ibrahim Rugova” në Velani, një hapësirë e merituar do t’i kushtohet edhe Heroit të Kosovës, Sali Çekaj, krahas figurave të tjera më të shquara politike e ushtarake të shtetndërtimit të Kosovës!
Lavdi jetës dhe veprës së Heroit Sali Çekaj!


