Lajme

Ognjen Gogic: Lista Serbe ka të drejtë ligjore të jetë pjesë e institucioneve të Kosovës

09/03/2025 21:19
nga:Genita C

Analisti serb, Ognjen Gogic, ka deklaruar se Lista Serbe është një parti politike e regjistruar në përputhje me ligjet e Kosovës dhe se nuk ekziston asnjë bazë ligjore për t’ia mohuar asaj pjesëmarrjen në proceset politike të vendit, raporton GazetaBlic.

Sipas tij, e ardhmja e Listës Serbe në institucionet e Kosovës varet nga vullneti i qytetarëve serbë.

“Lista Serbe është një parti politike e regjistruar sipas ligjeve të Kosovës dhe nuk ka asnjë bazë ligjore për t’i mohuar pjesëmarrjen në proceset politike. Nëse ajo ka apo jo një të ardhme në institucionet e Kosovës varet kryesisht nga vullneti i serbëve të Kosovës”, tha ai.

“Nëse serbët e Kosovës vazhdojnë ta mbështesin përmes zgjedhjeve, atëherë ajo do të ketë një vend të garantuar në institucione,” u shpreh Gogić, duke theksuar se serbët kanë të drejtë kushtetuese të zgjedhin përfaqësuesit e tyre.

Ai gjithashtu tha se bashkëpunimi i partive politike shqiptare me Listën Serbe është një çështje e vullnetit të tyre politik.

“Serbët kanë vende të garantuara në institucionet e Kosovës dhe kanë të drejtë të zgjedhin se kush i përfaqëson ata. Për aq kohë sa ata zgjedhin Listën Serbe, ajo do të ketë një vend në institucione. Një çështje tjetër është nëse partitë politike shqiptare janë të gatshme të bashkëpunojnë me Listën Serbe. Kjo varet tërësisht nga ato. Ato mund të zgjedhin nëse duan të formojnë një koalicion me Listën Serbe në nivelin qendror apo lokal. Megjithatë, atyre nuk u takon të zgjedhin se kush do t’i përfaqësojë serbët e Kosovës”, tha Gogic për GazetaBlic.

Krstic: Lista Serbe duhet të zhduket nga skena politike e Kosovës, është organizatë kriminale