Lajme

Rrahje mes dy familjeve në Lipjan me mjete të forta, dhjetë të arrestuar – konfiskohet edhe një armë

08/23/2025 08:47
nga:Sh R

Një rrahje masive ka ndodhur dje në Lipjan mes dy familjeve, ku janë përdorur edhe mjete të forta. Për rastin janë arrestuar 10 persona, të cilët janë ndaluar për 48 orë.

Për rastin ka njoftuar Policia e Kosovës, përmes raportit 24 orësh, teksa motivet janë ende të panjohura.

Policia ka sekuestruar edhe një armë automatike që e kishin në posedim, por që nuk èshtë përdorur në rast.

Si pasojë, lëndime kanë pësuar dy të dyshuar prej të cilëve njëri është liruar pas tretmanit mjekësor, ndërsa tjetri është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm

“PJESËMARRJE NË RRAHJE & LËNDIM I RËNDË TRUPOR & ARMËMBAJTJE PA LEJE – Lipjan 22.08.2025 – 14:44. Janë arrestuar dhjetë të dyshuar meshkuj kosovarë, anëtarë të dy familjeve, pasi të njëjtit për motive ende të panjohura janë përfshirë në rrahje në mes veti dhe gjatë përleshjes dyshohet se kanë përdorur mjete të forta, ndërsa në posedim kanë pasur edhe një armë automatike e cila nuk është përdorur. Njësitet policore si dëshmi materiale kanë konfiskuar armën e cekur me dy karikatorë dhe 46-fishekë dhe mjetet tjera të përdorura. Si pasojë, lëndime kanë pësuar dy të dyshuar prej të cilëve njëri është liruar pas tretmanit mjekësor, ndërsa tjetri është dërguar në QKUK për tretman të mëtutjeshëm. Me vendim të prokurorit të gjithë të dyshuarve (përfshirë edhe të lënduarit) pas intervistimit, u është shqiptuar masa e ndalimit për 48-orë”, thuhet në raport.