Lajme

“5 mijë euro ose i dërgojmë burrit tuaj fakte”- Aktakuzë ndaj dy personave në Gjakovë për shantazh

08/21/2025 15:50
nga:Y I

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se ka ngritur aktakuzë kundër dy personave me inicialet A.T. dhe V.H., për veprën penale të shantazhit.

Sipas Prokurorisë, të pandehurit dyshohet se nga fillimi i korrikut e deri më 18 korrik 2025, të koordinuar mes vete, kanë kanosur të dëmtuarën B.H. me qëllim përfitimi të kundërligjshëm pasuror.

Të pandehurit, sipas aktakuzës, kanosin të dëmtuarën B.H. se do të zbulojnë diçka në lidhje me të, që do të dëmtojë rëndë nderin dhe autoritetin e saj.

Në ditën kritike, sipas aktakuzës, pasi e pandehura V.H., një javë me parë e kishte telefonuar të dëmtuarën duke iu drejtuar me fjalët “unë kam fakte qe ti ke kaluar me 2 – 3 persona dhe nëse nuk mi dërgon 5000 euro këto prova do të ia dërgoj burrit tënd”, e më pas ditën kritike e kishte telefonuar përsëri duke i thënë “a vendose për pare” por që e dëmtuara me qëllim që të kuptojë se çfarë po ndodh, i përgjigjet, “po, ku don me ti pru paret a qysh”.

Pastaj, gjithnjë sipas aktakuzës, e pandehura e udhëzon me fjalët “vjen i bjen në qendrën tregtare V. ne katin e tret, lej dikund në tesha, më trego ku janë dhe shkoj i marr”.

Mirëpo, sipas aktakuzës, gjatë kësaj kohe, e pandehura mban komunikim vazhdimisht me të pandehurin tjetër A.T., duke e informuar për veprimet e saj ku i thotë se “jam duke shkuar në qendrën tregtare V. sepse ajo është duke mi pru paret” dhe i pandehuri A.T. i përgjigjet: “në rregull, edhe unë po nisna”.

Kështu, pasi e dëmtuara i vendos paratë ashtu siç kërkon e pandehura, në një palë pantallona fermerka të zi, “e pandehura kishte shkuar aty bashkë me vajzën e saj (fëmijë 9 vjeçe), duke kontrolluar dhe pasi gjen aty zarfin e merr, e fut në xhep dhe fillon të largohet”.

Por, “pasi zbret në katin e dytë, vëren një zyrtar policor dhe tenton të largohet duke e hedhur zarfin në tokë dhe aty ndalohet nga zyrtarët policorë ku pas pak çastesh arrestohet edhe i pandehuri A.T., i cili kishte ardhur për t’u takuar ashtu siç ishin dakorduar me parë”.

Me këto veprime, Prokuroria thotë se të pandehurit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Shantazhi”.

Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtorë dhe të dënohen sipas ligjit për veprën penale e cila ju vihet në barrë.