Sot do të mbahet seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës, e thirrur pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, që i jep afat 30 ditë për konstituim.
Sipas aktgjykimit të plotë, një kandidat mund të propozohet tri herë për kryetar të Kuvendit.
Albulena Haxhiu do të propozohet sërish nga Lëvizja Vetëvendosje për kryetare të Kuvendit.
Nga partitë tjera kanë deklaruar për Gazeta Blic se nuk ndryshuar qëndrim lidhur me votën për Haxhiun.
Madje, e shohin të paarsyeshme që ajo të kandidohet sërish, derisa ka dështuar të zgjedhet për gjashtë herë.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, tha për Gazeta Blic se presin të njëjtin epilog edhe sot.
“Aktvendimi i Gjykatës Kushtetuese është një rikujtesë e fuqishme se shteti ndërtohet mbi themelet e ligjit dhe Kushtetutës. Presim nga Lëvizja Vetëvendosje të përsërisë të njëjtin epilog me të njëjtin kandidat për kryetar të Kuvendit. Qëndrimi i PDK-së mbetet i pandryshuar, sepse për ne parimi është më i rëndësishëm se kalkulimi politik”, tha ajo.
Ndërsa, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka potencuar se Albulena Haxhiu ka dështuar të zgjedhet kryeparlamentare për gjashtë herë në votim të hapur dhe nëse kandidohet sërish, shihet se VV nuk ka reflektuar dhe s’ka interes ta konstituojë Kuvendin.
“Albulena Haxhiu në votim të hapur ka dështuar gjashtë herë, por edhe kundërshtimi 48 herë i komisionit për votim të fshehtë nga ana e deputetëve të Kuvendit ka qenë votë edhe kundër Albulena Haxhiut. Në rast se nesër prapë propozohet zonja Haxhiu, atëherë shihet qartë se LVV nuk ka reflektuar, nuk ka interesim as interes për të konstituuar Kuvendin dhe do të vazhdojë me bllokadë”, ka theksuar ajo për Gazeta Blic.
Bajrami ka thënë se LDK s’ka ndryshuar qëndrim, pasi nuk është shkaktare e bllokadës.
“LDK nuk është shkaktare e bllokadës andaj edhe s’ka pse të ndryshojë qëndrim”, ka deklaruar deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
Se s’kanë votë për Albulena Haxhiun as nga AAK ka konfirmuar Time Kadrijaj, deputete e kësaj partie.
“Jo, s’kemi ndërruar qëndrim për Albulena Haxhiun. Ta shohim çka e si do të veprojë LVV”, tha Kadrijaj për Gazeta Blic.
Mbetet të shihet sot nëse Albulena Haxhiu do t’i marrë votat për t’u bërë kryetare e Kuvendit, apo si do të rrjedhin gjërat nëse ajo nuk arrin të zgjedhet për tri herë, aq sa i lejohet të jetë e kandiduar, sipas aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese./Gazeta Blic/


