Eugen Cakolli, hulumtues i lartë në KDI, e ka quajtur të paprecedentë tërheqjen e kërkesës nga Gjykata Kushtetuese lidhur me seancën konstituive, nga presidentja Vjosa Osmani.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, ka thënë se ajo është dashur t’i sqarojë dy çështje.
“Në parim, ndonëse secili institucion ka të drejtë të ketë rezerva apo hezitime ndaj individëve të caktuar, por unë besoj që kemi parë një nga ngjarjet më të paprecedenta në historinë kushtetuese të Kosovës. Përtej veprimit të tërheqjes që njihet si e drejtë, mendoj se problemi më i madh ishte mënyra si u tërhoq dhe arsyetimi i përdorur nga presidentja. Në rastin aktual, pavarësisht të kaluarës së z.Llaban, i cili është zgjedhur nga deputetët dhe dekretuar nga presidenti, unë besoj që ka qenë e domosdoshme që presidentja t’i sqarojë dy çështje: Nëse ka marrë raporte nga institucionet e sigurisë të cilat kanë informacione të reja mbi veprimtarinë e tij, e cila cenon sigurinë dhe rendin kushtetues, atëherë pse është pritur deri tani dhe pse nuk janë dërguar në prokurori, ngritja e kallëzimeve penale”, ka thënë ai.
Sipas Cakollit, është problematike tërheqja e kërkesës 3 ditë para përfundimit të afatit.
“Unë besoj që edhe nëse mund të ketë veprimtari në këtë rast, për sa kohë që e njëjta nuk vërtetohet me vendim gjyqësor, kjo e bën problematike në radhë të parë sjelljen e presidentes dhe në radhë të dytë tërheqjen e kërkesës 3 ditë përpara përfundimit të afatit kushtetues për masë të përkohshme, e cila nënkuptohet që pas skadimit të saj do të mund të kemi vendim të Gjykatës Kushtetuese. Nuk e kuptoj se si çështje të tilla të një rëndësie kaq të madhe dhe me interes publik të lihen në moment të fundit. Unë besoj që presidentja në rast se ka pasur informacione të verifikuara, ato t’i përcjell te institucionet e drejtësisë, në mënyrë që pastaj edhe argumenti i saj për tërheqje të jetë më valide”, ka shtuar ai.
Cakolli ka sqaruar se gjqytari Llaban nuk është ai që e ka në dorë fatin e kësaj lënde, vetëm pse është gjyqtar raportues, pasi për këtë vendosin të gjithë gjyqtarët e Gjykatës.
“Në anën tjetër, sa i përket aspektit procedural, nuk qëndron argumenti që z.Llaban në cilësinë e gjyqtarit raportues e ka barrën dhe peshën kryesore në përcaktimin e fatit të një lënde brenda Gjykatës Kushtetuese. Në fakt ai vetëm përgatit shkresën fillestar, që shqyrtohet nga një panel gjyqtarësh, ku gjyqtari raportues as nuk merr pjesë dhe në fund është përbërja e plotë e gjyqtarëve të Gjykatës që votojnë për secilën prej pikave që janë në aktgjykim. Prandaj nuk mund të jetë argumenti që ai ka mundur ta ndikojë lëndën, sepse këtë e vendos gjykata, e nëse nuk i besohet gjykatës, atëherë kemi të bëjmë me një problem shumë më të madh se ai që është shpërfaqur”, ka theksuar ai për Gazeta Blic.
Por, pavarësisht tërheqjes Cakolli thotë se Gjykata duhet të vazhdojë me punën e saj për këtë çështje dhe t’i japë kahje gjithë situatës.
“Së fundi, përkundër tërheqjes së lëndës nga presidentja, Gjykata duhet në bazë të rregullores së saj të vazhdojë me trajtimin e asaj lënde, pavarësisht nëse do të jetë z.Llaban apo, kjo ka të bëjë më shumë me integritetin e vet gjykatës, por në parim kur kemi të bëjmë me çështjen më të rëndësishme kushtetuese që nga viti 2014 sidomos, do të ishte gabim fatal që gjykata të mos merret më me lëndën, sepse po flasim për një çështje ku nuk është e qartë se çfarë do të ndodhë pas 30 ditësh, së dyti nuk është e qartë se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi do të tentonte zgjedhjen e një qeverie nga legjislatura aktuale që nuk e ka përmbushur afatin 30 ditor dhe një sërë çështjesh tjera që nuk adresohen në mënyrë kaq eksplicite në kërkesat e PDK-së dhe LDK-së prandaj unë besoj që kërkesa e presidentes është e vetmja që nëse trajtohet dhe nëse gjykata shkon edhe përtej, është e vetmja që mund t’i japë rrugë apo kahje situatës aktuale, që e ka vendosur Kosovën në një terren të pashkelur kushtetues”, ka deklaruar Eugen Cakolli nga KDI./Gazeta Blic/


