Futbollisti i Dritës, Vesel Limaj ka folur para duelit të kampionëve kosovarë me FSCB, kampionët e Rumanisë në kualifikueset e Europa League.
Drita e FCSB do të luajnë në raundin e tretë kualifikues të Europa League me 7 dhe 14 gusht, teksa Limaj e konsideron si një ndeshje tejet të vështirë, por thotë që në futboll ka surpriza dhe këtë do tentojnë ta bëjnë, shkruan GazetaBlic Sport.
“Sigurisht, ndeshja kundër FCSB nuk do të jetë e lehtë. Ne e dimë që është klubi më i madh në Rumani, ne e dimë cilësinë e skuadrës që ka në dispozicion. Do të jetë shumë e vështirë për ne, por e shohim që në futboll çdo gjë mund të ndodhë. Edhe ne kemi cilësi në ekip, mendoj se do të jenë ndeshje të mira, mbetet të shihet se çfarë do të ndodhë. E pashë ndeshjen e tyre me Shkendijën… Ishte një surprizë, por, siç thashë, në futboll nuk i dihet kurrë. Ekipi favorit nuk fiton gjithmonë”, tha Limaj për gsp.
Limaj bëri një krahasim mes futbollit kosovar dhe rumun, ku tha se nëse Drita do luante në Superligën rumune do luftonte për garat evropiane.
“Kushtet në Rumani janë shumë më të mira: kanë stadiume të mëdha dhe niveli i futbollit atje është më i lartë. Edhe në Kosovë ka ekipe të mira, me cilësi, shohim dy ose tre ekipe që luajnë në kualifikueset e Europës çdo vit. Megjithatë, për shkak të kushteve këtu, kampionati nuk është aq tërheqës. Por FC Drita, nëse do të luante në Rumani, do të luftonte për vende në kupat e Evropës! ”, tha Vesel Limaj.
/GazetaBlic Sport


