Sporti

Izair Emini, super optimist: Me pak fat dhe besim, Shkëndija do të kalojë tutje në Ligën e Kampionëve

07/30/2025 16:38
nga:Mergim Rreci

FCSB dhe Shkendija takohen në ndeshjen e dytë të raundit të dytë të kualifikimeve të Ligës së Kampionëve.

Ndeshja do të luhet në Arenën Kombëtare në Bukuresht, duke filluar në orën 19:30, me klubin shqiptar që ka avantazh 1:0 nga ndeshja e parë në Shkup, përcjell GazetaBlic Sport.

Do të jetë një ndeshje shumë emocionuese për skuadrën shqiptare, e cila synon një sukses historik dhe kalimin në raundin tjetër.

Ish futbollisti i kësaj skuadre, Izair Emini, në një prononcim për ‘GazetaBlic Sport’, tha se shpreson shumë që Shkëndija të kalojë tutje.

“Duke marrë parasysh rezultatin e ndeshjes së parë, mendoj se Shkëndija  ka të gjitha mundësitë për të avancuar tutje. Ata duhet të kuptojnë që kanë gjithçka në duart e tyre dhe gjithçka varet prej tyre, me besim dhe pak fat, mendoj se Shkëndija do të kalojë tutje,” tha fillimisht Emini.

Tutje, ai tha se, nëse Shkëndija kalon tutje pas ndeshjes së sotme, objektiv i madh duhet të jenë grupet e Europa League.

“Tani dihet që nëse Shkëndija kalon tutje, grupet e Conference League i ka të sigurta. Do të doja t’i shihja në grupet e Ligës së Kampionëve, por ata duhet të luftojnë shumë fort për të bërë çmos që së paku të arrijnë në grupet e Ligës së Evropës sepse atje, besoj, përfitimet janë më të mëdha se sa në Conference League”, përfundoi Emini.

/GazetaBlic Sport/