Lajme

Haziri: Partia e parë po e kultivon parimin ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’

07/25/2025 22:07
nga:Y I

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka kritikuar ashpër pushtetin aktual, duke e akuzuar se po kultivon qëllimisht kaosin për të përfituar politikisht në dëm të Republikës së Kosovës.

“Partia e parë po e kultivon parimin ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’”, tha Haziri, duke theksuar se LDK-ja mbetet gardiane e vlerave të shtetësisë dhe bashkimit në dallime – ashtu siç e kishte paraparë themeluesi i saj, Ibrahim Rugova.

Ai kujtoi rezistencën politike që përfaqësohej nga LDK-ja dhe atë ushtarake të UÇK-së, të cilat sipas tij ishin të bashkuara në një qëllim të përbashkët: lirinë e Kosovës.

Por, sipas Hazirit, kjo frymë sot po sabotohet nga pushteti përmes gjuhës së urrejtjes, mungesës së transparencës dhe keqpërdorimeve të rënda.

“Mos-shfrytëzimi i suksesit të 9 shkurtit, si dhe skandalet financiare që po i shkaktohen vendit, nga rryma te subvencionet, janë dëshmi e qartë e kapjes së shtetit për interesa familjare e klanore,” deklaroi ai.

Reagimi i plotë:

Partia e parë po e kultivon parimin ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’, parimet e LDK-së për ta ruajtuar këtë Republikë janë të shenjta!

LDK është gardiane dhe kujdestare e Republikës, duke vazhduar që ta ndërtojë vlerën e Republikës, të njerëzve të vendit, në parimin e bashkimit në dallime.
Themeltari i késaj Republike, Ibrahim Rugova, e ka permendur në ditët e para të çlirimit unitetin plural. Sot jemi këtu për të dëshmuar që sovraniteti është bërë në këtë sallë plenare, këtu është ndërtuar dhe ruhet çdo ditë Republika e Kosovës.

Sa për rikujtim, rezistenca politike që përfaqësohet nga LDK, e cila e ka bashkuar popullin për qëllim të madh, dhe rezistenca e kryengritja ushtarake që ka ndodhur përmes UÇK-së, mbi parimin ‘sa më keq, aq më mirë’, është mobilizuar populli për të mirë, dhe në një proces prej më pak së dhjetë vjetësh, kemi arritur që ta përmbyllim lirinë e Kosovës.

Por, 26 vjet më vonë, parimi ‘sa më keq, aq më mirë kundër Republikës’, po vazhdon të jetë parim që partia e parë po e kultivon, me gjuhën e urrejtjes, mosdurimit dhe me të gjitha mjetet politike për një qëllim krejt tjetër politik.

Mos-shfrytëzimi i të drejtës nga partia e parë për ta zbatuar suksesin e vetë të 9 shkurtit, dëshmon qartë për një problem serioz. Na anën tjetër, partia e parë po shkakton një gjaderdhje të madhe financiare përmes skandaleve të jashtëzakonshme e keqpërdorimve, prej rrymës e deri te subvencionet, për përfitime për familjarët e tyre e për pasurim të individëve.

Ata që ikin, ata që fshihen, ata që nuk duan të bashkëpunojnë, ata që nuk e duan një shtet funksional, ata që nuk duan që Republika të udhëhiqet mbi parimin dhe mekanizmat e Kushtetutës, kanë dicka për të fshehur. Ata mund ta udhëheqin partinë e tyre në këtë formë, por nuk mund ta udhëheqin Republikën mbi këtë parim.

Ne duhet të dalim nga ky qark i mbyllur dhe ta nxjerrim Republikën me shpresë të re e me besim të ri. E vetmja rrugë për këtë është rruga kushtetuese. LDK nuk i beson marrëdhënieve të kushtëzuara, por marrëdhënieve në mirëbesim. Parimet tona për ta ruajtur këtë Republikë, janë të shenjta!