Mevlan Zeka është një nga emrat më të përfolur në mediat sportive të Kosovës momentalisht. Sulmuesi më i mirë i vitit të kaluar në Superligën e Kosovës, i cili realizoi 22 gola me Suharekën, arriti transferimin tek ekipi rumun, UTA Arad fiks para një muaji.
Megjithatë, jo gjithçka shkoi mirë për të në Rumani dhe për çështje familjare, Mevlan Zeka, u detyrua të rikthehej në Kosovë, por pa zgjidhur çështjen kontraktuale me ekipin rumun, gjë e cila ka ngjallur reagime atje.
Drejtori sportiv i klubit rumun, UTA Arad, Codru Gradinariu ka folur ekskluzivisht për ‘GazetaBlic Sport’ në lidhje me situatën e Mevlan Zekës, i cili ka rreth 2 javë që nuk është parë në ambientet e klubit sportiv rumun.
Sipas drejtorit sportiv të klubit, situata është specifike, pasi futbollisti po përballet me probleme familjare, të cilat ai nuk i përmend, sepse nuk janë për media.
“Situata e Mevlanit është specifike – e vështirë dhe jashtëzakonisht sfiduese për t’u menaxhuar. Ai është një lojtar profesionist futbolli, një sulmues shumë i respektuar, prandaj ne donim ta transferonim atë. Fatkeqësisht, menjëherë pasi nënshkruam kontratën dhe ai mbërriti në kampin stërvitor në Slloveni, filluan të lindnin probleme personale familjare, të cilat ende e pengojnë atë të vijë në Arad. Nuk dua të hyj në detaje – këto janë çështje private që kanë të bëjnë me të dhe familjen e tij, dhe ato nuk duhet të diskutohen në media. Ne e kemi kuptuar situatën e tij, dhe personalisht, besoj se ka momente në jetë kur ka përparësi më të rëndësishme se futbolli – veçanërisht kur përfshihet shëndeti i një anëtari të familjes”, tha fillimisht Gradinariu për ‘GazetaBlic Sport’.
Drejtori sportiv i klubit thotë se e mirëkupton lojtarin, por që ai duhet ta mbrojë edhe klubin, e në rast se Zeka nuk kthehet në kohë, atë duhet të marrin një vendim si skuadër.
“Pozicioni ynë është ai i mirëkuptimit. Ne kemi pasur diskutime të përditshme me të dhe agjentin e tij gjatë kësaj periudhe. Megjithatë, unë gjithashtu duhet të mbroj interesat dhe objektivat e ekipit që përfaqësoj, dhe ne do të marrim një vendim në të ardhmen e afërt nëse kthimi i tij në ekip vonohet përt ej afatit kohor që kemi rënë dakord më parë me të dhe agjentin e tij”, vazhdoi Gradinariu.
Në fund, drejtori ia la “topin” lojtarit për të ardhmen e tij.
“Si përfundim, lojtari ka mbështetjen dhe vullnetin tonë të mirë të plotë. “Topi është në fushën e tij” tani, dhe në varësi të vendimit që ai merr në ditët në vijim, edhe ne do të marrim tonin”, përfundoi ai.
Kujtojmë se Superliga Rumune ka filluar, teksa UTA Arad momentalisht nuk ka sulmues qendror dhe pa Zekën po kanë vështirësi…
/GazetaBlic Sport


