Lajme

Vendimi i Speciales, Berisha: Heshtja e Qeverisë së Kosovës është bashkëpërgjegjësi për këtë padrejtësi

07/16/2025 20:03
nga:Sh R

Ish-deputeti Hisen Berisha ka reaguar ashpër ndaj vendimit të fundit të Gjykatës Speciale në Hagë, e cila rrëzoi mocionin e mbrojtjes për heqjen e disa pjesëve të aktakuzës.

Berisha në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ky vendim është dëshmi e qartë se drejtësia po instrumentalizohet për qëllime politike kundër UÇK-së dhe liderëve të saj.

“Zhvillimet e fundit në Dhomat e Specializuara në Hagë – veçanërisht vendimi për rrëzimin e mocionit të Mbrojtjes që kërkonte heqjen e pjesëve të aktakuzës bazuar në mungesë të fakteve konkrete – janë një tjetër dëshmi e qartë se drejtësia po instrumentalizohet politikisht kundër UÇK-së dhe liderëve të saj historikë”, tha ai.

Berisha akuzon gjykatën se po mbështetet në dëshmi të fabrikuara nga shërbimet sekrete serbe dhe ruse, ndërsa kritikon ashpër edhe përfshirjen e bashkëpunëtorëve të këtyre shërbimeve në institucionet e Kosovës.

Ai thotë se heshtja e Qeverisë Kurti është bashkëpërgjegjësi për këtë padrejtësi dhe se përmes mosveprimit po legjitimohet një proces që synon eliminimin politik të figurave të luftës.

“Në këtë kontekst, heshtja e Qeverisë së Kosovës është bashkëpërgjegjësi. Kryeministri Kurti, i cili dikur e konsideronte këtë proces të ndikuar politikisht, sot hesht ose edhe nxit indirekt legjitimimin e tij përmes mosveprimit. Nuk ka asnjë përpjekje të vërtetë për të mbështetur të drejtën për mbrojtje në liri të të akuzuarve, reduktime në ofrimin e ndihmës reale financiare apo mbështetjes institucionale për familjet e tyre dhe asnjë qëndrim publik që të kërkojë një proces të drejtë e të paanshëm”, u shpreh ai.