Drita ka fituar mbrëmë edhe ndeshjen e dytë ndaj Differdange dhe është bërë skuadra e parë kosovare që kalon në raundin e dytë kualifikues të Champions League.
Klubi nga Gjilani fitoi në Prishtinë para tetë ditësh me rezultatin 1-0 dhe dje në Luksemburg me rezultatin 2-3.
Legjenda e klubit të Dritës, Xhevdet Shabani, i cili ishte pjesë e “Intelektualëve”, kur para disa viteve e kaluan rrethin preliminar të Champions dhe shkruajtën histori, thotë se klubi ka shënuar ngritje dhe ka një super ekip momentalisht.
“Po, është e vërtetë se sa kam qenë unë kemi bë histori, ka qenë e paharrushme ajo kohë, po sërish Drita bën histori në Champions. Unë mendoj se Drita ka berë një super ekip, ka një fond lojtarësh shumë të mirë dhe me përvojën se e ka fitu këto vitet e fundit i uroj shumë suksese”, tha fillimisht Xhevdet Shabani për ‘GazetaBlic Sport’.
Shabani beson se klubi i Dritës mund të arrijë fazën e ligës së Conference League në sezonin 2025/26, teksa lavdëron shumë punën e trajnerit, Zekrija Ramadani.
“Drita ka shumë lojtarë të mirë mos t’i permeni me emra, sepse janë shumë, por ka cilësi brenda ekipit unë mendoj se trajneri ka bë punë të madhe në klub. Ramadani është një trajner shumë i mirë i cili kërkon shumë angazhim e disiplinë dhe ju ka shpërbly puna e tij. Unë mendoj dhe besoj se Drita mundet të hy në grupe të Conference League këtë vit, duke marrë parasysh fondin e lojtarëve dhe përvojën e cila luan rol shumë”, vazhdoi “Rrapa”.
Shabani shprehet i lumtur që Drita ka transferuar Balajn, teksa në fund thotë se ndaj Copenhagen me pak fat mund të kalojnë tutje.
“Drita ka bërë shumë mirë që e ka transeru Liridon Balajn se ai është një super lojtar – i cili ka me ndihmu Dritën shumë në objektiva”, vazhdoi ai.
“Klubi i Dritës tani ka kundështar mjaft të fortë, Copenhagen, por që ka dëshmu më herët se edhe me ekipe të forta mund të perballet, kështu që me pak fat edhe mund ta kaloj”, përfundoi ish sulmuesi legjendar.
Kujtojmë se Drita në rast të eliminimit nga raundi i dytë i Champions League, do të luajë në raundin e tretë të Europa League, e në rastin më të keq po të eliminohet edhe nga kjo garë, do ketë edhe shansin e fundit për kualifikimin në fazën e ligës në Conference League.
Ndeshja e parë mes Dritës dhe Copenhagen luhet pas një jave në Danimarkë.
/GazetaBlic Sport


