Lajme

Afati kushtetues po afron, ‘loja’ tjetër po fillon: A po shkon vendi në zgjedhje?

07/15/2025 12:28
nga:Y I

Me 26 qershor, Gjykata Kushtetuese, mori vendim që Kuvendi të konstituohet brenda një afati 30-ditor.

Por megjithëse pati një vendim të tillë, i njëjti, deri tani nuk po zbatohet.

Sot ka dështuar për herë të 47-të të konstituohet Kuvendi, dështim i cili vjen pas çdo 48-orësh.

Por çfarë pritet të ndodhë pas afatit 30-ditor të vendosur nga Gjykata Kushtetuese, a pritet të shkojë vendi në zgjedhje?

Në lidhje me këtë situatë të krijuar në Kuvend, ka folur për “Gazeta Blic”, drejtoresha ekzekutive e Lëvizjes Fol, Mexhide Demolli-Nimani.

Demolli-Nimani tha se duke marrë parasysh vendimin e fundit të Kushtetueses, ku nuk janë përcaktuar pasojat në rast të mos-konsitutimit të Kuvendit,brenda këtij afati 30-ditor, dhe si e tillë është krijuar një rrethanë e çuditshme juridike.

Ajo tha se ‘nëse përfaqësuesit e subjekteve politike nuk ndërmarrin vetë masa për ta ndryshuar këtë praktikë të veprimit, atëherë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, në mungesë të vullnetit politik për ta respektuar dhe zbatuar, nuk ka ndonjë efekt juridik’

“Duke marrë parasysh se në vendimin e fundit të Gjykatës Kushtetueses, nuk janë përcaktuar pasojat në rast të mosrespektimit të afatit 30 ditor për konstituimin e legjislaturës se nëntë te Kuvendit të Kosovës, është krijuar një rrethanë e çuditshme juridike, ku nuk krijohen pasoja juridike në rast të mosrespektimit të saj”

“Prandaj, nëse përfaqësuesit e subjekteve politike nuk ndërmarrin vetë masa për ta ndryshuar këtë praktikë të veprimit, atëherë ky vendim i Gjykatës Kushtetuese, në mungesë të vullnetit politik për ta respektuar dhe zbatuar, nuk ka ndonjë efekt juridik. Prandaj, duhet konsensus politik e që këtu barra bie mbi partin fituese të zgjedhjeve të 9 shkurtit që të bëj marëveshje politike dhe të zhbllokoj formimin e institucioneve” tha Demolli-Nimani në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic’.

Mexhide Demolli-Nimani- Drejtoreshë e Lëvizjes Fol

Por një mendim ndryshe ka Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI).

Bugaqki në një prononcim dhënë për “Gazeta Blic” tha se Gjykata në një vendim të radhës mund të konstatoj se është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe mund ta interpretoj frymën e nenit 82 të Kushtetutës dhe t’a obligoj Presidenten që t’a shpërndajë Parlamentin dhe t’i shpall zgjedhjet e reja.

“Eshtë e vërtetë që në vendimin e fundit, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës duke u përgjigjur në kërkesën e deputetëve të AAK-së dhe disa deputetëve të tjerë të Kuvendit të Kosovës, ka dhënë një interpretim ku ka shpjeguar pak a shumë situatën e çështjes së procedurës së votimit të fshehtë dhe është e vërtetë që ka vendosur një standart sa i përket vendosjes së një afati 30-ditor në të cilin obligohen deputetët e Kuvendit të Kosovës që t’a konstituojnë Kuvendin. Megjithatë vendimi si i tillë nuk ka paraparë ndonjë masë ose sanskion se çfarë ndodh nëse ky afat nuk respektohet nga ana e deputetëve. Për kete arsye jeni besoj të gjithë dëshmitarë që ka edhe disa subjekte të tjera politike që i kanë kërkuar Gjykatës Kushtetuese të flasë në lidhje me këtë çështje.

“Unë mendoj se gjykata deri në një vendim të rradhës, hipotetikisht, mund të japë interpretim shtesë duke e sqaru se çfarë efekti ka afati 30-ditor nëse nuk respektohet nga ana e deputetëve. Së pari mendoj se Gjykata mund të konstatoj se është shkelur Kushtetuta e Kosovës dhe detyrimi kushteteus i këtyre deputetëve që t’a konstituojnë Kuvendin brenda afatit 30 ditë. Së dyti Gjykata mund të theksoj se këto veprime të deputetëve nuk kanë qenë në përputhje as me aktgjykimin e Gjykatës të lëshuar së fundmi për çështjen e konstituimit të Kuvendit dhe si rrjedhojë unë vlerësoj se ndoshta është e mundur që Gjykata Kushtetuese, si një farë mase, mund të shpjegojë faktin që në këtë çështje, nëse këta deputetë për 30 ditë nuk e kanë zbaatuar aktgjykimin e Gjykatës, nuk e kanë respektuar as Kushtetutën e Kosovës lidhur me konstituimin e Kuvendit, atëherë Gjykata Kushtetuese mund ta interpretoj frymën e nenit 82 të Kushtetutës dhe t’a obligoj Presidenten që t’a shpërndajë Parlamentin. Sepse neni 82 nuk është që e citon dhe e thotë shpehimisht shpërndarjen e Kuvendit në rast të mos-zgjedhjes së Kryetarit dhe nënkryetarit por unë po them në rast se komplet konstitumi i Kuvendit nuk ndodh brenda këtij afati nga ana e deputetëve atëherë si masë mund të jetë që GJK-ja ta interpretojë frymën e nenit 82 të Kushtetutës në përputhje me nenin 82 dhe t’a obligoj Presdienten që t’a bëj shpërbërjen e Kuvendit dhe t’i shpallë zgjedhejt e e reja. Unë parashikoj se kjo mund të jetë sqarimi i mëtutjeshëm i kësaj situate nga ana e Gjykatës Kushteteuse” tha Bugaqku në intervistën e tij dhënë për “Gazeta Blic”.


Vullnet Bugaqku, KDI!

Por optimist ë situatën në të cilën jemi nuk po shprehet njohësi i zhvillimeve politike në vend njëherësh ish-ambasador, Avni Arifi.

Arifi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic” tha se ‘Kushtetuesja as Kushtetuta e Republikës së Kosoves nuk respektohet nga partia në pushtet’

Ai tha se nëse Kushtetuesja e i plotëson kërkesat e LVV-së të njëjtit e respektojnë vendimin në të kundërt Kosova hyn në territor të panjohur.

“Kushtetuesja as Kushtetuta e Republikës së Kosoves nuk respektohet nga partia në pushtet. Ky është fakt. Nëse Kushtetuesja i plotëson kerkesat e VV-së që Albulenën t’a bëj kryeparlamentare, VV-ja e respekton vendimin. Cfarëdo vendimi tjetër nuk respektohet dhe Kosova hyn në trrritor të panjoftun” tha Arifi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Avni Arifi, Ish-ambasador!

Kujtojmë se vendi tash e gjashtë muaj po funksionon me Qeveri në detyrë.

Së fundi pati paralajmërime dhe nga Presidenti amerikan, Donald Trump, ku tha se ka ndaluar një sulm të mundshëm mbi Kosovën.

Këtë lajm e ka konfirmuar edhe vetë Presidentja e vendit, Vjosa Osmani.

Osmani, tha se ka informacione të besueshme se presidenti amerikan, Donald Trump, ka parandaluar së voni mundësinë e një përshkallëzimi të mundshëm të situatës nga Serbia në Kosovë.

“Ai (Trump) është shumë i qartë në deklaratën e tij se po flet për javët e fundit”, tha presidentja Osmani, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për zhvillime të vitit 2023 apo 2020, por “për zhvillime shumë, shumë të vona” tha Presidentja Osmani raporton “Gazeta Blic”.

Ajo i bëri komentet gjatë një ligjërate në Uashington.

Kujtojmë se partia e cila ka dalë e para në zgjedhjet e 9 shkurtit, LVV-ja, vazhdon të mos heqë dorë nga kandidatura e Albulena Haxhiut, kandidaturë e cila nuk po arrin të marrë votat e nevojshme për kryeparlamentare.

Partitë ish-opozitare kanë deklaruar se nuk votojnë asnjë nga ish-anëtarët e kabitetit qeveritar të Kurtit që kanë qenë në katër vitet e fundit.

Tashmë mbetet veçse të pritet se çfarë do të ndodhë pas 48-orëshit të ardhshëm raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/