Sporti

E njeh mirë skuadrën nga Gjilani, Kastriot Rexha: Drita ka treguar gjithmonë paraqitje të mira në Evropë

07/11/2025 13:19
nga:Mergim Rreci

Ish futbollisti i mirënjohur dhe tashmë trajneri, Kastriot Rexha, ka komentuar paraqitjet e tri skuadrave tona kosovare në garat evropiane.

Drita triumfoi me rezultat 1 me 0 ndaj Differdange, në kuadër të ndeshjes së parë kualifikuese në Ligën e Kampionëve, shkruan GazetaBlic Sport.

Dy skuadrat e tjera, Prishtina dhe Malisheva pësuan humbje, kryeqytetasit u mposhtën thellë nga Sheriff Tiraspol në ndeshjen e Europa League, kurse Malisheva humbi minimalisht nga Vikingur 0 me 1, ndeshje kjo kualifikuese për Conference League.

Rexha tha për ‘GazetaBlic Sport’, se Drita e meritonte fitoren, aq më shumë për faktin se ka treguar paraqitje të mira edhe kur është përballur me kundërshtar të fortë në të kaluarën.

“Ekipi i Dritës është një ekip që në përgjithësi ka bërë paraqitje të mira edhe kur është eliminuar nga kundërshtarë të fortë. Sa i përket ndeshjes kundër Differdange, mendoj se ka fituar me meritë dhe e shoh si një mundësi të mirë për të kaluar në raundin tjetër. Edhe pse kishte një kundërshtar të vështirë si Sheriff Tiraspol, mendoj se Prishtina pati një paraqitje jo shumë të mirë. Ndoshta tek kjo skuadër kanë ndikuar shumë edhe ndryshimet e fundit që kanë ndodhur. Ekipi i Malishevës e respektoi shumë kundërshtarin në pjesën e parë duke pësuar një gol dhe pas atij momenti ata kishin më shumë nga loja, por nuk ishin shumë konkret në fazën e sulmit”, deklaroi Rexha.

Ndeshjet kthyese zhvillohen në mesjavën e ardhshme, të mërkurën dhe të enjten.

/GazetaBlic Sport/