Njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi, ka sqaruar procedurat ligjore që ndodhin në rast se ndonjëri nga deputetët aktualë të Kuvendit të Kosovës zgjidhet kryetar komune në zgjedhjet lokale, raporton GazetaBlic.
Sipas tij, në momentin kur një deputet zgjidhet dhe betohet si kryetar komune, ai e humb automatikisht pozitën në Kuvend:
“Çdo kryetar i komunës ka të drejtë të paraqitet si deputet, pra në momentin kur betohet si deputet nuk është më kryetar i asaj komune. Pastaj, është detyrë e organeve të komunës që të shpallë zgjedhjet e reja për një kryetar të ri. Kjo është ana juridike, nga betimi e tutje, humb pozitën e kryetarit të komunës”, tha Kelmendi për GazetaBlic.

Më tej, Kelmendi sqaron edhe mënyrën se si plotësohet vendi i mbetur vakant në Kuvend pas largimit të një deputeti:
“Deputetët që fitojnë në zgjedhjet komunale, pra bëhet kryetar i një komune të caktuar, atëherë nga lista e asaj partie që është ai, vjen personi tjetër në radhë që ka numrin më të madh të votave, zonjë apo zotëri, e zëvendëson atë dhe bëhet deputet i Kuvendit të Kosovës”, tha ai.
Sipas tij, ky proces është i qartë dhe nuk përfshin ndonjë procedurë të komplikuar:
“Kjo nuk është procedurë e ndërlikuar, sepse KQZ-ja, në momentin kur një deputet jep dorëheqje, e ka listën e asaj partie dhe nga ajo duhet ta përcaktojë personin tjetër që është në radhë, a do të jetë mashkull apo femër, varet nga numri i votave që kanë.”
Edhe avokati Ardian Bajraktari për GazetaBlic. ka sqaruar aspektet kushtetuese dhe ligjore që lidhen me mandatin e deputetëve në rast se ata fitojnë poste në zgjedhjet komunale apo ndonjë funksion tjetër publik.

Sipas tij, ushtrimi i funksionit të deputetit është në papajtueshmëri me çdo funksion tjetër ekzekutiv, siç e përcakton neni 72 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës:
“Nëse ndonjëri prej deputetëve aktual fiton në zgjedhje komunale, apo çfarëdo pozite tjetër, i njëjti duhet të jap dorëheqje nga funksioni i deputetit, ngase çfarëdo funksioni tjetër është në papajtueshmëri me funksionin e deputetit sipas nenit 72 të Kushtetutës”, tha ai.
Avokati thekson se në raste të tilla procedura e zëvendësimit të deputetëve është e rregulluar me nenin 112 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme:
“Zëvendësimi në rastet të tilla bëhet nga kandidati i ligjshëm në radhë, i cili ka fituar numrin më të madh të votave në kuadër të të njëjtës listë, por duke mos e cenuar garancinë e përfaqësimit të detyrueshëm minimal të gjinisë së nënpërfaqësuar, në kuotën prej tridhjetë për qind (30%) të subjektit politik.”
Sa i përket procedurës institucionale për mbushjen e vendit vakant në Kuvend, Bajraktari sqaron:
“Pasi që një ulëse të mbetet e zbrazët, Kryetari i Kuvendit i bën kërkesë me shkrim Presidentit/es së vendit për mbushjen e ulëses së zbrazët, në kërkesë duhet të përfshihen edhe sqarimin të nevojshme,”, shtoi ai.
Pasi kërkesa dhe sqarimet përcillen tek Presidenti, hapi tjetër kalon në kompetencën e KQZ-së:
“Pas pranimit të një kërkesë të tillë dhe nëse sqarimet janë të mjaftueshme, Presidenti/ja duhet të kërkojë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të rekomandojë emrin e personit për ta mbushur vendin e lirë. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve duhet që në afatin prej pesë (5) ditëve të punës nga momenti i marrjes së kërkesës, t’ia ofrojë Presidentit emrin radhës së personit të ligjshëm”, tha Bajraktari.
Ky mekanizëm, sipas avokatit Bajraktari, siguron zëvendësim të drejtë dhe përfaqësim të barabartë në Kuvend, duke respektuar të gjitha parimet kushtetuese dhe ligjore në fuqi.
Njohësi i çështjeve juridike, Jeton Halimi, ka komentuar rreth procedurave që duhen ndjekur në rast se ndonjëri nga deputetët aktual të Kuvendit të Kosovës fiton në zgjedhjet lokale të 12 tetorit 2025.

Ai për GazetaBlic ka theksuar se në situata të tilla, deputetët janë të obliguar të dorëhiqen nga funksioni i tyre parlamentar dhe të njoftojnë kryetarin/en e Kuvendit me shkrim.
“Deputetët e Kuvendit të Kosovës që janë kandidatë për kryetarë të komunave dhe që eventualisht fitojnë në zgjedhjet që do të mbahen më 12 tetor 2025 (në mënyrë hipotetike), duhet të japin dorëheqje me shkrim dhe ta deponojnë atë tek kryetari/ja i Kuvendit të Kosovës. Pas kësaj, procedohet me tutje me zëvendësimin e tyre.”
Halimi shton se zëvendësimi i deputetëve bëhet në mënyrë të qartë dhe të përcaktuar ligjërisht, duke u bazuar në listën e kandidatëve të partisë përkatëse.
“Zëvendësimi bëhet nga kandidatët që nuk kanë arritur të marrin vota të mjaftueshme për t’u bërë deputetë, por që janë me radhë sipas numrit më të lartë të votave brenda listës së njëjtë zgjedhore.”
Ai apelon që partitë politike të respektojnë procedurat e parapara ligjërisht dhe të njoftojnë KQZ-në për çdo ndryshim në përbërjen e Kuvendit.
“Partitë politike, qoftë PDK, LDK apo AAK, janë të obliguara të ndjekin procedurat ligjore dhe të njoftojnë me shkrim Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) për ndryshimet që ndodhin në përbërjen e deputetëve të Kuvendit.”
Jeton Halimi e cilëson si problematik faktin që deputetët përdorin mandatin e fituar për kalkulime politike dhe sugjeron që kjo të rregullohet me ligj në të ardhmen.
“Duhet të ndryshohet kjo qasje përmes ligjit, në mënyrë që të mos lejohet përdorimi i pozitës së deputetit për kalkulime të ngushta politike apo për interesa personale dhe partiake. Kjo praktikë dëmton reputacionin jo vetëm të deputetit, por edhe të qytetarëve të cilëve u kërkohet vota.”
“Është cinike dhe absurde që një deputet, në një kohë shumë të shkurtër pas zgjedhjeve, të kërkojë votën për Kuvend dhe më pas të ndryshojë tërësisht qëndrimin duke kandiduar për një funksion tjetër. Kjo sjellje është mashtrim dhe poshtërim i qytetarit.”
Halimi bën thirrje për më shumë seriozitet institucional dhe respekt ndaj votuesve.
/GazetaBlic/


