Lajme

Izmaku pas vdekjes së 27-vjeçarit: Ta ruajmë figurën e mirë të policit tonë, duke larguar nga radhët e tij kapadainjtë dhe ata që keqpërdorin uniformën

07/07/2025 19:19
nga:Genita C

Deputetja e NISMA-s, Xhevahire Izmaku, ka shprehur shqetësim dhe dhimbje pas vdekjes tragjike të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu, i cili humbi jetën në rrethana të dyshimta pas ndalimit nga Policia e Kosovës, raporton GazetaBlic.

Izmaku ka shprehur ngushëllimet e saj për familjen dhe bashkëvendasit e tij, duke theksuar se rasti ka sfiduar besimin në këtë institucion të rëndësishëm.

Ajo ka kërkuar një reflektim të thellë dhe përgjegjësi nga Policia e Kosovës, duke paralajmëruar se forca nuk guxon të keqpërdoret.

Izmaku ka kërkuar që të rishikohen proceset e trajnimit, rekrutimit dhe mbikëqyrjes për të ruajtur dinjitetin e policisë dhe për të larguar elementët që keqpërdorin uniformën.

Postimi i plotë:

Me dhimbje dhe shqetësim lexova lajmin për vdekjen tragjike të Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani, i cili ndërroi jetë në rrethana të dyshimta pas ndalimit nga Policia e Kosovës.

Ngushëllimet e mia më të sinqerta për familjen dhe gjithë bashkëvendasit e tij.

Brenda pak ditësh, disa raste shqetësuese po sfidojnë besimin në një nga institucionet më të vlerësuara në vend siç është Policia jonë.

Policia e Kosovës nuk guxon të lejojë që forca të keqpërdoret, sepse ne kemi vuajtur mjaft nga dhuna institucionale dhe frika prej uniformës!

Kërkohet reflektim dhe përgjegjësi. Pozita e policit është e diniitetshme dhe nuk guxon të keqpërdoret, as kur përdoret forca.

Rishikimi i trajnimeve, rekrutimeve dhe mbikëqyrjes është urgjencë.

Ta ruajmë figurën e mirë të policit tonë, duke larguar nga radhët e tij kapadainjtë dhe ata që keqpërdorin uniformën.