Naim Murseli, i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj, është shtruar në Klinikën e Psikiatrisë tash e një javë, pasi gjykata vendosi që t’i nënshtrohet ekzaminimit psikiatrik.
Drejtori i Institutit të Psikiatrisë Forenzike, Shpend Haxhibeqiri për Klankosova bëri të ditur se nga ekipi mjekësor pritet të kryhet vlerësimi psikiatrik.
Nga aty, ai sot është dërguar në Klinikën e Neurologjisë, i prangosur këmbë e duar.
Kujtojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë në seancën e 9 qershorit lëshoi urdhëresë që Instituti ta bëjë ekzaminimin psikiatrik.
“Referuar kërkesës tuaj për informata ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti për Krime të Rënda me datë 04 Qershor 2025 ka aprovuar kërkesën e mbrojtëses të të akuzuarit N.M. për lëshimin e Urdhrit për Ekzaminimin Psikiatrik për të njëjtin.
Me datë 09.06.2025 trupi gjykues në këtë çështje penale ka lëshuar Urdhëresë përmes së cilës është urdhëruar Instituti i Psikiatrisë Forenzike në Prishtinë të bëjë Ekzaminimin Psikiatrik për të akuzuarin N.M.”


