Presidenti amerikan, Donald Trump, sot dha mesazh se do të angazhohet për çështjen Kosovë-Serbi, teksa tha se e ka ndalur konfliktin që mes të dyja vendeve.
Ai në një postim në platformën Truth Social, ku foli edhe për marrëdhëniet mes Iranit dhe Izraelit, theksoi se gjatë mandatit të tij të parë arriti të parandalojë një konflikt mes Kosovës dhe Serbisë, i cili, sipas tij, ishte afër shpërthimit.
“Gjatë mandatit tim të parë, Serbia dhe Kosova po përballeshin me forcë, ashtu siç kanë bërë për dekada, dhe ky konflikt i gjatë ishte gati të shpërthente në LUFTË”, shkroi Trump.
Lidhur me këtë, profesori universitar Ardian Kastrati, në një prononcim për Gazeta Blic, tha se Administrata Trump njihet për marrëveshje të shpejta dhe të drejtpërdrejta, që mund të mos na konvenojnë apo të na dëmtojnë në raport me këtë administratë, për shkak të situatës aktuale në vend.
“Administrata Trump, e njohur për qasjen e saj “America First”, ka adoptuar një politikë të jashtme transaksionale, ku marrëveshjet e shpejta dhe të drejtpërdrejta janë të preferuara mbi angazhimet afatgjata dhe të qëndrueshme. Jo domosdoshmërish kjo qasje e favorizon Kosovën. Përkundrazi, në kohën kur ne jemi të painteresuar për të reaguar për shkak të mos formimit të institucioneve, kjo edhe mund të na dëmtojë në raportet me administratën Trump që ka tendenca për arritje të marrëveshjeve të shpejta”, ka thënë ai.
Sipas Kastratit, deklarata e Trump është sinjal i qartë se vakumi institucional në Kosovë po e lë terrenin për agjenda të jashtme.
Po ashtu, ai ka kritikuar politikanët që nuk po formojnë institucionet, të cilët i ka quajtur “horra provincialë”.
“Deklarata e fundit e Donald Trump për riangazhimin në çështjen Kosovë–Serbi nuk është thjesht një mesazh diplomatik, por sinjal i qartë se vakumi institucional në Kosovë po e lë terrenin për agjenda të jashtme, shpesh të njëanshme. Në kohën kur bota po lëviz shpejt dhe presioni ndërkombëtar rritet, klasa politike kosovare vijon të flejë në komoditetin e vet institucional, pa qeveri, pa kuvend e pa vizion. Kjo amulli është jo vetëm e papërgjegjshme, por edhe strategjikisht vetëvrasëse. Në vend të reagimit serioz, politika vendore duket se ka zgjedhur të jetë spektatore në skenën ku vendoset fati i saj. Po të kishim politikanë të përgjegjshëm, formimi i institucioneve do ishte harruar e ndoshta do synohej të arrihej një marrëveshje e sigurisë mes Kosovës e SHBA, jo vetëm si shenjë e miqësisë, por edhe e interesave të përbashkëta për sigurinë rajonale. Fatkeqësisht, politika po udhëhiqet nga qyrraveca dhe horra provincial që pushtetin e matin me metrin e katundit e lagjeve të tyre”, ka deklaruar Ardian Kastrati./Gazeta Blic/
Njohja nga Serbia si prioritet, Lekaj mbështet qasjen e Trumpit


