Lajme

Lladrovci synon edhe një mandat në krye të Drenasit – ka një mesazh për kundërkandidatët

06/10/2025 13:39
nga:G B

Ramiz Lladrovci, kryetar aktual i Komunës së Drenasit, do të jetë sërish kandidat për kryetar të kësaj komune në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Ai në një prononcim për Gazeta Blic, ka thënë se ka pritje të mëdha, ashtu si punën e përkushtimin.

“Pritjet i kam të mëdha dhe të bazuara, ashtu siç e kam punën, përkushtimin dhe rezultatet e punës. Puna ime është vlerësuar nga qytetarët dhe institucionet qendrore e ndërkombëtare. Gjashtë herë kampion i qeverisjes së mirë, transparente e llogaridhënëse, flet vet për pritjet e mia. Normalisht, kandidatura e propozuar nga kryesia e Degës në Drenas pres të konfirmohet nga Kryetari i PDK-së, të bazuar në statut, meritokraci dhe përvojën më të mirë të partisë shtetformuese e shtetndërtuese”, u shpreh ai.

Lladrovci beson se do ta fitojë edhe një mandat.

“Po, besoj fort se edhe një mandat e rrumbullakon tërë përkushtimin tim për qytetarët tanë, për Drenasin, zemrën e Kosovës”, theksoi ai për Gazeta Blic.

Por, a ka frikë nga kundërkandidatët Ramiz Lladrovci?

Ai thotë se sfidat nuk e kthejnë nga qëllimi dhe se do ta kërkojë votën e qytetarëve ballëhapur.

“Mund të ketë kundërkandidatë, ndonjë tashmë dihet, por, sfidat nuk më kthejnë nga qëllimi. Para se të sfidohen kundërkandidatët me mua, e kanë një ballafaqim me qytetarët e komunës së Drenasit me pyetjen themelore se me çfarë i ka kontribuar komunës, qytetarëve dhe mirëqenies, sa e njohin pushtetin lokal dhe përgjegjësitë përtej premtimeve të fushatës. Prandaj, ballëhapur do ta kërkoj votën, për mua, për PDK-në dhe asamblistët e Listës së PDK-së për asamble. Puna e dëshmuar e bën dallimin dhe pres më të mirën dhe vazhdojmë me punët e mira”, ka deklaruar i pari i Drenasit, Ramiz Lladrovci./Gazeta Blic/

Halil Thaçi i bindur se do ta mposhtë Xhafer Gashin në Obiliq: Qytetarët do t’i japin fund keqqeverisjes së LDK-së