Një subjekt ekonomik kishte tentuar të importojë pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e prezantuar atë si produkt me origjinë nga Serbia.
Kjo përpjekje për manipulim u bë pavarësisht se Dogana e Kosovës e kishte njoftuar më herët me shkrim kompaninë se importi i këtij produkti ndalohet, në përputhje me sanksionet ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse.
Dogana ka vepruar me kohë dhe ka ndërhyrë në momentin e hyrjes së mallit në kufi, duke e ndaluar dërgesën.
Zbulohet se për të shmangur ndalimin, kompania kishte ambalazhuar mallin në thasë që mbanin emërtimin e një prodhuesi serb, duke u përpjekur ta paraqesë mallin si të lejuar për import.
Njoftimi i doganës:
Dogana e Kosovës parandalon tentativën për mashtrim me origjinën e produkteve – ndalohen mbi 130 tonë pleh kimik
Prizren, 5 qershor 2025 Dogana e Kosovës ka ndaluar një rast të tentativës për mashtrim me origjinën e mallit nga një subjekt ekonomik që ka tentuar të importojë pleh kimik me origjinë nga Federata Ruse, duke e paraqitur atë si produkt me origjinë nga Serbia.
Kompania paraprakisht kishte marrë përgjigje negative me shkrim nga Dogana e Kosovës se importi i këtij produkti ndalohet për shkak të sanksioneve ndaj Federatës Ruse, derisa subjekti ka vazhduar me tentativën për të kamufluar origjinën duke ambalazhuar paraprakisht mallin me thasë që mbanin emërtimin e një prodhuesi nga Serbia.
Dogana ka ndërhyrë me kohë dhe ka ndaluar dërgesat të këtij malli në momentin e hyrjes në Republikën e Kosovës. Me Aktvendim të kundërvajtjes, palës i është urdhëruar kthimi i menjëhershëm i mallit jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Ky rast paraqet një sukses të Doganës së Kosovës në zbatimin efektiv të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Federatës Ruse, në përputhje me Vendimet e miratuara nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
Dogana e Kosovës mbetet e përkushtuar në ruajtjen e integritetit të tregtisë dhe në zbatimin e masave ndëshkuese ndërkombëtare, duke parandaluar çdo përpjekje për shmangie apo manipulim të rregullave dhe ligjeve në fuqi.
Dogana e Kosovës
www.dogana-ks.org | ☎️ 0800 50 095
#DoganaeKosovës #SanksioneNdërkombëtare #MashtrimiDoganor #ZbatimLigji #Transparencë #RasteSuksesi


