Lajme

Lama: E papranueshme që VV ka marrë peng Kuvendin dhe imponon zgjedhje të reja

06/04/2025 21:46
nga:G B

Nënkryetarja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i propozoi sot presidentes Vjosa Osmani, që bashkë me zgjedhjet lokale të caktohen dhe zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare.

Pas takimit të Osmanit me përfaqësuesit e partive politike, Haxhiu deklaroi para mediave se kjo ishte e saj, por që VV ka qëndrim që të konstituohet Kuvendi e më pas të formohet Qeveria.

Lidhur me këtë propozim, ish ambasadorja Alma Lama, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se bllokada në Kuvend po bëhet për të shkuar në zgjedhje të reja, pasi VV-së nuk i ka pëlqyer rezultati.

“Është e qartë se krejt bllokada në Kuvendin e Kosovës po bëhet me qëllim për të shkuar në zgjedhje të tjera, pasi VV-së nuk i ka pëlqyer rezultati që mori më 9 shkurt. Propozimi për t’i mbajtur në një datë me zgjedhjet lokale është pjesë e strategjisë së tyre partiake që nuk merr parasysh interesat e Kosovës dhe as qytetarëve”, është shprehur ajo.

Lama thotë se VV si parti uzurpuese kërkon zgjedhje që të marrë edhe ndonjë komunë më tepër, teksa vlerëson se do të kishte probleme të votohet me 3 fletëvotime.

“Kjo parti uzurpuese kërkon që edhe procesin zgjedhor, si të vetmin që ka funksionuar relativisht mirë deri tani, ta shkatërroje. Ata shpresojnë që të marrin ndonjë komunë më tepër, me shpresën se qytetarët i votojnë si në zgjedhjet qendrore, për inerci, pasi në zgjedhjet lokale 2021 dështuan keq. Por, një proces zgjedhor ku qytetarët duhet të votojnë me 3 fletëvotime mund të krijojë probleme të mëdha për menaxhimin e procesit zgjedhor”, ka theksuar ish diplomatja.

Po ashtu, ajo thotë se është e papranueshme dhe jodemokratike që të shkohet në zgjedhje të parakohshme vetëm pse VV ka vendosur ta marrë peng Kuvendin.

“Gjithashtu, të shkosh në zgjedhje të parakohshme pasi një parti politike ka vendosur të marrë peng Kuvendin, është e papranueshme dhe jo demokratike. Kosova është demokraci konsensuale dhe prandaj nevojitet bashkëpunim ndërmjet subjekteve politike, kompromise dhe bashkëqeverisje”, ka potencuar ajo për Gazeta Blic.

Sipas Lamës, Kurti dëshiron të qeverisë i vetëm dhe t’i ketë në dorë të gjitha institucionet, që është manifestim i autoritarizmit.

“Mirëpo, qartazi kemi manifestim të autoritarizmit nga z.Kurti, i cili kërkon të qeverisë vetëm dhe kështu të fus në dorë krejt institucionet, përfshirë dhe ato të pavarura. Këtë tentativë dhe tendencë vetëm qytetarët mund ta ndalin”, ka deklaruar Alma Lama./Gazeta Blic/

Propozimi i VV-së për dy palë zgjedhje bashkë/ Haziri: Pa konsensus, s’mund të ketë zgjedhje tjera pos atyre lokale

Humolli kundër propozimit të Haxhiut për zgjedhje të përbashkëta: Do ishte zgjidhja më e dëmshme – Kemi luftë politike e jo garë politike

Haxhiu propozon zgjedhje lokale dhe parlamentare në të njëjtën ditë, Burjani: Kosova nuk mund të presë më

 

Vetëvendosje i propozon presidentes që zgjedhjet lokale të bëhen bashkë me ato parlamentare