Lajme

Krstic: Fajtori kryesor për krizën politike, ‘regjimi në largim’, zgjdhjet e reja s’pritet të sjellin stabilitet politik!

05/29/2025 20:13
nga:Y I

Gazetari dhe analisti serb nga Mitrovica, Branislav Krstic ka folur në lidhje me bllokadën institucionale që po ndodh në Prishtinë.

Krstic tha se fajtori kryesor për një situatë të tillë është siç ai e quan ‘regjimi në largim’ duke iu referuar qeverisjes së Lëvizjes Vetëvendosje.

Ai theksoi se Kosova në këto momente është jashtëzakonisht e polarizuar dhe e ndarë.

“Kemi ardhur në atë pikë ku shqiptarët po u thërrasin shqiptarëve ‘ju jeni spiunë të Serbisë’. Fajtori kryesor dhe më i madh për një situatë të tillë skizofrenike dhe të shtrembëruar politike në Kosovë është regjimi në largim, sepse ai është motivuesi kryesor i urrejtjes në shoqërinë tonë. Kosova është e polarizuar dhe e ndarë dhe armiqësitë mes palëve po bëhen çdo ditë e më të theksuar” tha Krstiç për “Gazeta Blic”.

Analisti Krstic tha se nuk pritet që zgjedhjet e reja të sjellin stabilitet politik në Kosovë.

“Kam frikë se zgjedhjet e reja nuk do të sjellin stabilitet politik në vend” tha Krstic në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.

Sot ka dështuar për herë të 23-të të konstituohet Kuvendi i Kosovës.

Kryesuesi i seancës, Avni Dehari propozoi sërish komision për votim të fshehtë të kryetarit të Kuvendit, që nuk i mori votat e nevojshme.

55 deputetë votuan për, 1 kundër dhe asnjë abstenim.Seanca u ndërpre, për të vazhduar pas 48 orësh, më 31 maj ditën e shtunë.

Nga ndërkombëtarët po vijnë deklarata të vazhdueshme ku theksohet formimi sa më i shpejtë i institucioneve.

Së fundi ambasadori i Britanisë së Madhe në OSBE, ka pritur Shefin e Misionit të OSBE-së në Kosovë, Gerard McGurk, në Këshillin e Përhershëm të OSBE-së.

Në këtë mbledhje është diskutuar raporti i Shefit të Misionit të OSBE-së në Kosovë, McGurk, ku Mbretëria e Bashkuar tha se mirëpret mbajtjen e zgjedhjeve të 9 shkurtit, teksa shprehu urgjencën për formimin e qeverisë së re.

“Mbretëria e Bashkuar mirëpret zgjedhjet parlamentare paqësore dhe konkurruese që u mbajtën në Kosovë në shkurt, dhe mbështetjen e rëndësishme që Misioni i ka dhënë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ne vazhdojmë të theksojmë tek bashkëbiseduesit në Kosovë urgjencën e formimit të qeverisë” raporton “Gazeta Blic”.

/Gazeta Blic/