Lajme

Avokati: Bastisja apo urdhër-kontrolli në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka qenë detyrim ligjor

05/27/2025 19:11
nga:Genita C

Avokati Xhevdet Smakiqi ka komentuar aksionin e fundit të Prokurorisë Speciale të Kosovës, duke e vlerësuar si një hap të domosdoshëm për forcimin e shtetit të së drejtës dhe luftën kundër korrupsionit.

Ai për GazetaBlic ka theksuar se aksioni i Prokurorisë duhet të mbështetet nga të gjitha institucionet dhe qytetarët, përfshirë Kryeministrin e Kosovës.

“Aksioni i Prokurorisë Speciale të Kosovës në një shtet të së drejtës duhet të përgëzohet gjithmonë nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, pastaj nga secili institucion dhe qytetarët,” ka thënë Smakiqi, duke theksuar rëndësinë e mbështetjes së këtij aksioni nga autoritetet më të larta të vendit.

Megjithatë, ai ka kritikuar reagimin e Qeverisë në detyrë ndaj aksionit të Prokurorisë Speciale, duke theksuar se jo vetëm që ky aksion nuk është mbështetur, por edhe është sulmuar dhe etiketuar nga kreu i Ekzekutivit.

“Në rastin konkret dhe në këto 5 vjet qeverisje të Kurtit, jo vetëm që nuk përshëndeten e mbështeten, por sulmohen dhe etiketohen nga kreu i Ekzekutivit, një qasje kjo anarkiste,” ka thënë ai.

Smakiqi ka theksuar se bastisjet në Ministrinë e Bujqësisë janë një detyrim ligjor dhe se është e nevojshme që çdo dyshim për keqmenaxhim të hetohet në mënyrë të thelluar.

“Bastisja apo urdhër-kontrolli në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural ka qenë detyrim ligjor, që skandalet e publikuara në media t’i nënshtrohen një hetimi të detajuar dhe serioz ndaj secilit zyrtar të Ekzekutivit, jo vetëm të ministrit, por edhe nëse ka nevojë, të Kryeministrit,” ka shtuar ai.

Për më tepër, ai ka vlerësuar rolin e rëndësishëm që ka Prokuroria Speciale në mbrojtjen e interesit publik dhe parave të qytetarëve të Kosovës.

“PSRK-ja mbron në fund interesin publik, paratë publike, taksat e qytetarëve të Kosovës,” ka theksuar ai.

Në fund, Smakiqi ka kritikuar qëndrimin e Kryeministrit në detyrë ndaj ministrave të dyshuar për korrupsion, duke theksuar se mbrojtja e këtyre ministrave është një rrethanë rënduese për drejtësinë.

“Në mungesë të shkarkimeve dhe dorëheqjeve të ministrave të dyshuar, mbrojtja publike nga shefi i tyre, Albin Kurti, duhet të konsiderohet si rrethanë rënduese, që bastisjet në ministri të rezultojnë me arrestime dhe paraburgime deri në përfundimin e hetimeve dhe mbledhjen e provave, pa paragjykuar prezumimin e pafajësisë ndaj të dyshuarve,” përfundoi Smakiqi. /GazetaBlic/

Faton Peci u intervistua si i dyshuar, Gërvalla sulmon Prokurorinë Speciale: Inskenim i Blerim Isufajt