Njohësi i çështjeve politike, Dritëro Arifi, ka komentuar deklaratat e Fatmir Limajt, kreut të NISMA-s, mbi mundësinë e një koalicioni me LVV-në.
Arifi për GazetaBlic ka theksuar se, megjithëse palët mund të duken të afërta sipërfaqësisht, ato janë ende larg në thelb.
Takimi me Kurtin | Limaj zbulon detaje: Çka i kërkoi e çka iu ofrua?
“Se a janë gati për një koalicion qeveritar, është vështirë të parashikohet, por unë e shoh se sa janë afër, janë edhe larg. Në kuptimin e asaj që sipërfaqësisht janë afër, përmbajtësisht janë shumë larg. Në sensin e asaj që ka shumë tema, që kjo qeveri për katër vite nuk ka prodhuar ndonjë rezultat konkret për tema vitale për mirëqenien e qytetarëve, dhe po besoj që është e vështirë për një parti si NISMA që mund ta bartë barrën e disa ndryshimeve, për të cilat u aludua mbrëmë”, tha Arifi.
Sa i përket numrave, ai vlerëson se formimi i një koalicioni është i mundur, por shton se ngërçet politike mund të shtyjnë proceset zhvillimore të Kosovës.
“Sa i përket çështjes së numrave, mund të bëhet, por sa mund të shtyhen proceset zhvillimore për Kosovën, e shoh si një pikëpyetje shumë të madhe”, tha ai për GazetaBlic.


