Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, në përkujtim të 27-vjetorit të rënies heroike të Ismet Ukajt, theksoi se luftëtari nga Strellci i Deçanit ishte ndër ata që qëndruan në ballë të luftës për liri, raporton GazetaBlic.
Ai theksoi se Ukaj ishte rritur në frymën atdhetare dhe, me fillimin e luftës në Dukagjin, u rreshtua pranë shokëve të idealit në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, ku u dallua për guximin dhe angazhimin e tij. Haradinaj kujtoi se Ismet Ukaj ra më 25 maj 1998, duke dhënë jetën për lirinë e Kosovës.
Në homazhet pranë lapidarit të Ismet Ukajt, Haradinaj tha: “Sot, kur nderojmë kujtimin e Ismet Ukajt dhe të gjithë atyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, duhet të kujtojmë se angazhimi për atdheun nuk ndalet me luftën. Ai vazhdon edhe në paqe, përmes punës dhe zhvillimit të vendit.”
Gjithashtu, ai vlerësoi investimin e familjes Ukaj në bjeshkët e Strellcit, duke theksuar se ky është një shembull i përkushtimit të vazhdueshëm të familjeve që dhanë për liri, të cilat vazhdojnë të kontribuojnë për një të ardhme të zhvilluar për Kosovën.


