Avokati i Popullit në Prishtinë gjatë ditës së djeshme u vizitua nga kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Ekaterina Trendafilova.
Për emisionin Kosova Today në Klan Kosova, Avokati i Popullit, Naim Qelaj, tregoi se mysafires i ka shprehur shqetësimet e tij duke u bazuar në shqetësimet e qytetareve lidhur me krejt rrjedhën e procesit e gjykimit në Gjykatën Speciale.
Ndërkaq, përgjigjet e Trendafilovës ishin të natyrës se ‘këto shqetësime nuk qëndrojnë, që gjykata në vazhdimësi kujdeset për të garantuar sigurinë dhe të sigurohet që po respektohen të drejtat e të akuzuarve në procedurë, që po garantohet qasja në prova, etj.’, njoftoi Qelaj.
“Ajo që ka qenë kërkesë e imja është që gjykata duhet të jetë më transparente lidhur me këto shqetësime, duke dhënë sqarime të mjaftueshme për opinionin publik me qëllim të ndërtimit të besimit në këtë gjykatë, ngase vet distanca që ka gjykata dhe pastaj mënyra se si funksionon, lë dilema dhe ngjall dyshime te qytetarët se a është kjo gjykatë e paanshme”.
“Unë nuk mora një përgjigje konkrete, përveç disa çështjeve teknike që lidhen me mundësinë e vizitave që unë mund ti kem atje”, deklaroi Qelaj për Klan Kosova.
Ndërkaq lidhur me shqetësimin në çështjen e provave që burimin mund ta kenë në Serbi, Avokati i Popullit tregoi se Trendafilova i ka dhënë sqarime dhe në detaje se si shkon procedura e provave dhe verifikimit të provave me qëllim që ato të jenë të sigurta dhe të mos jenë të komprometuara.
Në takim është prekur edhe tema e zgjatjes së afateve të paraburgimit ndaj të akuzuarve, për të cilat shefja e Speciales tha se arsyet ishin te mosplotësimi i kushteve dhe se ato interesohen për sigurinë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve të mbrojtur, duke pretenduar gjithmonë që me lënien në liri të të akuzuarve mund të pengohet edhe rrjedha e procesit gjyqësor dhe në anën tjetër mund të rrezikohet edhe siguria e këtyre palëve.
“Për mua nuk paraqet një arsyetim të mjaftueshëm, por këto kanë qenë arsyet që i ka paraqitur Trendafilova”, përfundoi Qelaj.


