Sporti

‘Marca’: Agjentët e Vinicius gënjejnë për ofertën nga Arabia Saudite, duan të nxjerrin më shumë para nga Real Madrid

05/14/2025 10:14
nga:Mergim Rreci

Negociatat mes Real Madridit dhe Viniciusit për zgjatjen e kontratës janë në një fazë të avancuar dhe është e mundur që ajo të nënshkruhet deri në fund të sezonit, por “Marca” raporton mashtrim nga ana e përfaqësuesve të lojtarit brazilian.

Sipas gazetës sportive më të shpërndarshme në Spanjë, agjencia e menaxhimit që përfaqësonte Viniciusin sajoi një ofertë nga Arabia Saudite për të nxjerrë më shumë para nga Reali.

“Oferta fantazmë”, siç e quan “Marca”, është përfolur prej një viti dhe arrin në 400 milionë euro për Realin dhe një pagë prej një miliardë për Viniciusin gjatë një periudhe pesëvjeçare.

“Marca” pretendon se një ofertë e tillë nuk i ka mbërritur ende Realit, gjë që mund të konkludohet nga fakti se në asnjë moment nuk u njoftua emri i klubit të interesuar për Viniciusin.

Dihet që transferimet atje kalojnë përmes fondit kombëtar të investimeve, por në rastet e Cristiano Ronaldos, Benzemas, Neymar, Mane… dihej paraprakisht se me kë po negocionin dhe ku do të luanin.

Informacioni se Vinicius ka një ofertë nga Arabia Saudite pasqyrohet në negociatat e tij me Realin. Braziliani dëshiron një pagë neto vjetore prej 30 milionë eurosh, por klubi madrilen nuk dëshiron ta kalojë shumën prej 20 milionësh. Paga aktuale e anësorit është 17 milionë euro, pasi kontrata u nënshkrua në vitin 2022.

/GazetaBlic Sport/