Lajme

Hoxhaj takon ish-Presidentin e Tunizisë dhe ish-Kryeministrin e Libanit – theksohet rëndësia e bashkëpunimit ndërkombëtar

05/07/2025 20:21
nga:G B

Deputeti dhe ish-Ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, ka zhvilluar dy takime të rëndësishme në kuadër të pjesëmarrjes së tij në Samitin Ekonomik të Euroazisë, që po mbahet në Stamboll të Turqisë.

Hoxhaj është takuar me ish-Presidentin e Tunizisë, Mohamed Moncef Marzouki, me të cilin ka shkëmbyer mendime mbi marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Tunizisë dhe mundësitë për thellimin e bashkëpunimit dypalësh.

Hoxhaj kujtoi se takimi i parë me Marzoukin ishte zhvilluar në vitin 2012, gjatë një vizite zyrtare në Tunizi, kur ai mbante postin e Ministrit të Punëve të Jashtme të Kosovës.

“Kënaqësi të takohesha sërish me Presidentin Marzouki. Diskutuam për zhvillimet ndërkombëtare dhe nevojën për forcimin e lidhjeve ndërmjet vendeve tona,” u shpreh Hoxhaj.

Po ashtu, pas përfundimit të panelit ku mori pjesë në kuadër të Samitit, Hoxhaj zhvilloi një takim edhe me ish-Kryeministrin e Libanit, Hassan Diab.

Këto takime vijnë në një moment të rëndësishëm për rritjen e profilit ndërkombëtar të Kosovës dhe theksojnë angazhimin e Enver Hoxhaj në ndërtimin e marrëdhënieve të qëndrueshme me vendet e botës arabe dhe më gjerë.