Njohësi i zhvillimeve politike në vend, Avni Arifi, ka folur në lidhje me refuzimin e ftesës për bashkëpunim që Lidhja Demokratike e Kosovës i bëri kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Arifi në një përgjigje dhënë për “Gazeta Blic” tha se refuzimi për bashkëpunim ishte i paralajmeruar, i pritur dhe krejtësisht i kuptueshëm i LDK-së.
“I paralajmeruar, i pritur dhe mendoj krejtësisht i kuptueshëm i LDK-së” tha Arifi.
Ai tutje tha se ‘bashkimi në projektin e Kurtit nuk i sjell të mira as vendit as LDK-së’
“E para është vështirë bashkëqeverisja me dikë që per nja 5 viteper cdo dite te ka fy edhe ne baza personale edhe ne baza partiake por edhe sikur t’i kish mbyllë sytë ndaj kesaj fushate LDK apo kushdo tjetër bashkimi ne projektin e Kurtit nuk i sjell te mira as vendit as partisë ne kete rast LDK-se” tha Arifi në përgjigjen e dhënë për “Gazeta Blic”.
Kryetari i LDK-së,Lumir Abdixhiku, i përmendi në letër, Albin Kurtit, rrezikimin e demokracisë dhe lirisë së shprehjes e stagnimin katërvjeçar si ndër shkaqet kryesore që pamundësojnë një bashkëpunim mes tyre.
“LDK-ja, për mungesë besimi dhe duke pasur parasysh stagnimin 4-vjeçar të vendit nën udhëheqjen tuaj, rrezikimin e aleancave strategjike, të sigurisë nacionale, rrezikimin serioz të demokracisë dhe të lirisë së shprehjes, atakimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, mosrespektimin e vendimeve të këtyre institucioneve, mbi të gjitha polarizimin e thellë shoqëror, e ka vlerësuar të pamundur bashkëpunimin me ju”, thuhet në letër.
/Gazeta Blic/


