Deputeti i PDK-së, Ferat Shala, ka kritikuar ashpër qeverisjen e Albin Kurti për krijimin e një sistemi të padrejtë energjetik, duke ndarë qytetarët e Kosovës në dy kategori, raporton GazetaBlic.
Ai për GazetaBlic theksoi se ndarja e qytetarëve në baza territoriale, veçanërisht në veri dhe jug, është antiligjore dhe shkakton pabarazi qytetare.
“ZRrE, është institucion i pavarur, rregullator i zgjedhur nga Kuvendi i Kosovës për të kryer mandatin në tërë territorin e Kosovës. Andaj ndarja e qytetarëve në kategori e regjione veçanërisht në këtë mandat qeverisës, në theks të veçantë veri dhe jug, është antiligjore,është pabarazi qytetare”, tha Shala.
“Kjo ndodhë në qeverisjen e z. Kurti, ku një pjesë e qytetarëve të republikës së Kosovës janë në treg të rregulluar energjetik dhe u ngritet çmimi i energjisë tri herë për katër vite. Ndërkaq pjesës tjetër të qytetarëve që janë në treg të derregulluar energjetik”, shtoi ai.
Shala u shpreh se, me marrëveshjen për energjinë pas katër vite negociatash, Kurti ka krijuar dy tregje energjetike – një për veriun dhe një për pjesën tjetër të Kosovës.
Shala akuzoi Kurtin për sovranitet të improvizuar energjetik dhe për “zvarritjen e formimit të institucioneve” që ka penguar zhvillimin e një tregu të rregulluar dhe të drejtë energjetik për të gjithë qytetarët e Kosovës.
“Zyrtarisht, z. Kurti, me marrëveshjen për energjinë pas katër vite negociata me elektrotroserverin i ndau qytetarët e Kosovës në dy tregje të ndryshme energjetike. Pra , thënë thjeshtë për qytetarët, pjesa veriore e Kosovës për qytetarët atje nuk do të ketë ngritje të tarifave të energjisë siç po ndodhë me pjesën tjetër të Kosovës rritja me 16.1%”, tha Shala.
“Ky është sovraniteti energjetik i qeverisë Kurti! Sovranitet të tillë, improvizues popullist e ke pothuajse në shumë sektorë të ekonomisë. Nuk është e rastësishme zvarritja e formimit të institucioneve”, përfundoi ai për GazetaBlic.
PDK s’ndryshon qëndrim, Blerta Deliu: As nesër nuk e votojmë Albulena Haxhiun


