Asambleisti i Lëvizjes Vetëvendosje, Gëzim Sveçla, ka reaguar ndaj kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama, lidhur me deklaratën se “Policia janë këtu për ta larguar Inspektoratin”.
Ai në një intervistë për Gazeta Blic, e ka quajtur këtë skandalozë, mashtrim të ulët dhe keqpërdorim të Policisë nga ana e Ramës.
“Është skandaloze kjo që po ndodhë në Komunën e Prishtinës gjithandej në të gjitha sferat. Pamë që sot kishte punime, tash në një vend tjetër. Ajo që ishte e papranueshme dhe skandaloze ishte deklarata e z.Rama që tha se Policia janë këtu për ta larguar Inspektoratin. Kjo ishte mashtrim dhe keqpërdorim i z.Rama i një kontrate që ka Komuna me Policinë e Kosovës, si shumë institucione tjera, për asistencë kur ka nevojë, ata policë ishin sot në detyrë dytësore sot, ishin në përkrahje të Inspektoratit komunal të Prishtinës për ndërtime pa leje për të reaguar aty ku ka nevojë e jo siç deklaroi z.Rama, që ta largonin Inspektoratin për Trashëgimi. Ishte një mashtrim i ulët, në vazhdën e shumë mashtrimeve që bën çdo ditë ai”, u shpreh ai.
Lidhur me punimet në sheshin Xhorxh Bush, Sveçla tha se ka frikë se do të gropohet e pastaj do të ndalen punimet, pasi nuk është marrë drita e gjelbër për këtë projekt.
Madje, ai tha se frikësohet se ajo do të mbetet si “gropa e Përparimit”.
“Frikësohem që në atë pjesë mund të punohet pasi nuk është brenda zonës ku është trashëgimia, mendoj se është një hile. Frikësohem se do të nisë puna, do të gropohet e pastaj kur të hyhet në zonën e mbrojtur do të ndërpriten punët me gjasë nga Inspektorati pasi akoma nuk e ka marrë pëlqimin projekti i propozuar. Pavarësisht ndarjeve që ai i përmend, duhet të theksohet se ai është një projekt i vetëm dhe duhet potencuar se ai është buxhetuar me 6 milionë euro, ndërsa që vlera e tenderit është 18 milionë euro. Kam frikë se do të përfundojë ajo pjesë, në Tiranë ka qenë një vend që është quajtur “Gropa e Hajdinit”, frikësohem se mos do të bëhet edhe kjo “Gropa e Përparimit””, theksoi Sveçla për Gazeta Blic.


