Lajme

Posta e Kosovës u kushton pullë postare personave të zhdukur

04/27/2025 10:13
nga:G B

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë, ka emetuar sot një edicion të pullës postare, kushtuar Ditës Kombëtare të Personave të Pagjetur.

Posta thotë se ky emetim nderon kujtimin e mijëra qytetarëve të zhdukur me dhunë gjatë luftës në Kosovë dhe përçon mesazhin e kujtesës kolektive, dhimbjes së përbashkët dhe përkushtimit të pandërprerë për zbardhjen e fatit të tyre.

Përmes këtij edicioni, Posta e Kosovës shpreh solidaritet me familjet që kërkojnë të vërtetën dhe drejtësinë, duke mbështetur të drejtën e tyre themelore për të ditur fatin e më të dashurve.

Emetimi përfshin një pullë postare dhe Zarfin e Ditës së Parë, të cilat do të jenë në qarkullim postar deri në konsum të plotë.