Lajme

Vendimi i ZRRE për shtrejntimin e energjisë elektrike, Kaçaniku: Është një pabesi tipike e qeverisë – Një goditje direkte ndaj qytetarëve

04/23/2025 19:43
nga:Sh R

Kryetari i Shoqatës Konsumatori, Selatin Kaçaniku, thotë se vendimi i ZRRE për shtrejntimin e energjisë elektrike është një sabotim i vlerave themelore demokratike të njeriut, raporton gazetaBlic.

Kaçaniku në një prononcim për GazetaBlic, thotë se ky vendim është një goditje direkte në standartin jetësor , ku shton se kjo rritje mund të falimentojë edhe shtresen e mesme të qytetarëve.

“Si sabotim të vlerave themelore demokratike të njeriut / të njeriut qytetar konsumator taksapagues, njëherit kontribuues, investues, kapitalizues nëpërmes investimeve të bëra në asetet gjeneruese të energjisë elektrike nëpërmes BUXHETIT KONSUMUES të Shtetit. Gjenerues kryesor i këtij BUXHETI KONSUMUES ISHTE / ËSHTË QYTETARI KONSUMATOR TAKSAPAGUES. Si goditje direkte në standardin jetësor, edhe ashtu të brishtë e të paqëndrueshëm të qytetarit konsumator. Kjo goditje mund ta falimentojë edhe shtresën e mesme të qytetarit e të familjes konsumatore. Si “kryevepër” e një koalicioni të pandershëm të ZRrEE-së infantile e inkompetente me Qeverinë e cila nuk e ka brengë qytetarin konsumator taksapagues, ndërsa për prioritet as që bëhet fjalë”, thotë ai.

Tutje, ai shton se ky vendim është një pabesi tipike e qeverisë, e cila sipas tij nuk e njeh qytetarin dhe konsumatorin madje as nuk komunikon me ta.

“Goditje në dinjitet e në xhep të qytetarit konsumator taksapagues – i cili dy muaj më parë u mashtrua e shantazhua si elektorat të cilit “ia ng.lën thikën” pas shpine. Pabesi tipike e Qeverisë e cila, njësoj si të gjitha legjislaturat tjera të Qeverisë, nuk e njeh qytetarin konsumator taksapagues as nuk komunikon me te duke dëshmuar primitivizëm të pashoq, edhe e ZRrEE-së e cila duhet të komunikojë e bashkëpunojë me qytetarin konsumator por e bën të kundërtën – e lakmon arrogancën e nihilizmin që janë larg çdo norme të civilizimit – dhe qytetarin konsumator taksapagues e trajton si bonjak dhe të paarritur mendërisht?!”, u shpreh ai.

Kaçaniku thotë se qeveria nuk ka kohë e as vullnet që të merret me kauzën dhe brengat e konsumatorit, të cilat sipas tij i kalojnë të gjithë kufijtë e normales.

“Qeveria sikur nuk ka kohë as vullnet që të merret me kauzën e konsumatorit, me brengat e tij të cilat i tejkalojnë të gjithë kufijtë e normales. Qeveria e “stimulon” konkurrencën jolojale e konsumerizmin, “pllafonat e dyshemetë” si kontrollë çmimesh… ndërsa retorikën e ka përplot parulla të kundërta. Çmimet kanë filluar të ngriten që nga momenti i paralajmërimit të ngritjes së çmimit të energjisë elektrike për 15% si “kompromis” ndaj kërkesësë prej 35%?!”, u shpreh ai.

Ndër të tjera, ai thekson se as kjo qeveri nuk është e gatshme që ta konsolidoj tregun, ku sipas tij qeveria e ka humbur kontrollin.

“As kjo Qeveri nuk është e gatshme, nuk di ose nuk do që ta konstruktojë / konsolidojë tregun. Tregu do të ishte rregullator i drejt i çmimeve, i furnizimeve, i konkurrencës së lirë, i konsumit e konsumerizmit, i ofertës e kërkesës, i nevojës reale për punësim, i raportit të drejtë socio-ekonomik, i formave, nivelit, dëmeve nga ndikimi i politizimeve dhe i partive politike në të gjitha fushat, degët, sektorët socio-ekonomik, publik, administrativ…ku qytetari konsumator i përmbush nevojat themelore socio-ekonomike personale e familjare.

Sikur edhe kjo Qeveri pretendon se duhet ti “komandojë e kontrollojë” të gjithat…dhe t i futë hundët edhe në ligjet ekonomike, në standardet, protokollet e deklaruara / edhe të natyrës, në ato shkencore…?! Bazuar në të gjithat duket sikur Qeveria e ka humbur kontrollin, ka menduar se do t i dalë lehtësisht…por i doli “dardhë me bisht”, tha Kaçaniku.

Ai shton se kur të filloj aplikimi i çmimit të ngritur të energjisë elektrike do të shkaktojë një “cunami” ekonomik ku sipas tij do jetë shumë i fuqishëm.

“Vështirësitë kanë nisur kaherë. 30 %-shi i qytetarëve konsumator të varfër ka falimentuar. Tani falimentimi, siç e thashë, e rrezikon edhe shtresën e mesme.Kjo shtresë, pjesë e madhe e saj, po mbijeton me kredi, me huazime, me ndihmat nga mërgata e diaspora ose nga prindërit…?! Rritja e interesimit për ta kërkuar një jetë më të mirë jasht vendit më së miri e ilustron përceptimin e qytetarit konsumator për çmimin e ngritur të energjisë elektrike dhe për efektin zingjir ose domino që po e shkakton kjo ngritje – akoma pa u aplikuar.Pra, kur të nisë aplikimi i çmimit të ngritur të energjisë elektrike mendoj se “cunami” që do ta shkaktojë do të jetë edhe më i fuqishëm. Ky “cunami” mund ta rrisë fuqinë nëse Qeveria do të vazhdojë ta injorojë pakënaqësinë, shqetësimin, brengat, kërkesat, nevojat… protesat e qytetarëve konsumator taksapagues”, shtoi ai.

Kaçaniku thotë se fajtori kryesor që tani po përballemi me këto çmime, janë vet qytetarët, duke shprehur besnikëri e patriotizëm të lartë ekonomik edhe kur vendimet qeveritare nuk janë të drejta.

“Mendoj se fajtori kryesor jemi ne – qytetarët konsumatorë taksapagues të Republikës së Kosovës. Disa duke shprehur besnikëri e patriotizëm të lartë ekonomik edhe kur vendimet qeveritare nuk janë të drejta. Disa duke shprehur basnikëri të tepruar deri në vazalitet ndaj partisë politike – ku kanë aderuar. Disa duke e bërë “edhe argatin në trajtë tifozerie”; Qeveria dhe ZRrEE-ja janë gabimtarët kryesor. Me këtë gabim e kanë shpallur vehten e tyre INKOMPETENTË dhe të padenjë për besimin e qytetarit konsumator taksapagues” thotë ai.

Tutje ai thotë se qeveria duhet ta respektojë qytetarin dhe të mos tallet me dinjitetin e tij.

“Duhet ta respektojë qytetarin konsumator taksapagues dhe mos të tallet me dinjitetin as me inteligjencën e tij. Duhet ta ofrojë për shitje një pjesë të thëngjillit – për të cilin si kundërvlerë mund të kërkojë energji elektrike e jo para”, përfundoi Kaçaniku për GazetaBlic.