Lajme

VV nuk e ndërron Albulena Haxhiun për kryetare të Kuvendit/ Bajqinovci: Presim të reflektojë opozita dhe ta votojë

04/22/2025 18:26
nga:G B

Nesër do të jetë përpjekja e pestë për konstituim të Kuvendit të Kosovës.

Pasi është votuar raporti për verifikimin e mandateve të deputetëve dhe deputetët e kanë bërë betimin, konstituimi ka ngecur te zgjedhja e kryetarit të Kuvendit.

Lëvizja Vetëvendosje si parti e parë në zgjedhje, ka propozuar Albulena Haxhiun për kryekuvendare, për çka ajo ka dështuar t’i marrë votat në dy tentime.

Ndërsa, në seancën e fundit të mbajtur të hënën (21 prill), deputeti i VV-së, Glauk Konjufca tha para deputetëve se e kanë të njëjtin emër por që ajo nuk i ka votat e nevojshme, teksa kërkoi kohë shtesë dhe tha se duhet marrëveshje politike me partitë tjera.

Por, a do të jetë sërish Albulena Haxhiu kandidate për kryetare të Kuvendit?

Lidhur me këtë, për Gazeta Blic ka folur deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci.

Ai tha se do të jetë kandidatja e njëjtë, teksa tha që presin që ta votojnë dhe partitë tjera.

“Presim që opozita të reflektojë dhe të votohet kandidati ynë i propozuar ditë më parë për Kryetar të Kuvendit”, u shpreh Bajqinovci për Gazeta Blic.

Ai shtoi se Kushtetuta thotë se partisë fituese i takon posti i kryetarit të Kuvendit.

“Kushtetuta e thotë qartë: posti i Kryetarit të Kuvendit i takon partisë fituese. Ky është jo vetëm një parim kushtetues, por edhe një normë demokratike që siguron funksionalitetin e institucioneve dhe respektimin e vullnetit të qytetarëve”, deklaroi deputeti Mefail Bajqinovci.

Ndryshe, seanca mbahet nesër nga ora 10:00./Gazeta Blic/

Haradinaj: Reagimi i Bogujevcit i tepruar, unë s’bëra propozime, por vetëm dhashë emra që më lehtë i votojmë për kryekuvendar