Lajme

Modi i Indisë do të presë JD Vance për bisedimet tregtare

04/21/2025 18:42
nga:G B

Zëvendëspresidenti i SHBA-së po viziton Indinë për të diskutuar për tregtinë. Nju Delhi thotë se vizita është “pozitive” dhe se do të nxisë tregtinë dypalëshe.

Zëvendëspresidenti i SHBA JD Vance mbërriti në Delhi për udhëtimin e tij katër-ditor në Indi së bashku me gruan e tij Usha Vance dhe fëmijët të hënën.

Kjo është vizita e parë e Vance në Indi gjatë së cilës ai do të zhvillojë takime me kryeministrin indian Narendra Modi për të diskutuar një marrëveshje tregtare dypalëshe me fuqinë ekonomike në rritje. Vance mbërriti në aeroportin Palam në Delhi, ku u prit me një roje nderi dhe trupa kërcimtarësh folklorikë, njofton DW.

Ai e nisi udhëtimin e tij duke vizituar Tempullin Akshardham në kryeqytetin indian. Gjatë udhëtimit të tij, ai pritet të vizitojë edhe Taj Mahalin dhe Amer Fort.

Vizita e Vance, e konsideruar jetike nga administrata e Presidentit Donald Trump, përkon me përshkallëzimin e luftës tregtare midis SHBA-së dhe Kinës fqinje të Indisë.

Ministria e Jashtme e Indisë ka thënë se vizita “do të ofrojë një mundësi për të dyja palët për të shqyrtuar përparimin në marrëdhëniet dypalëshe” dhe se të dy liderët “do të shkëmbejnë pikëpamjet mbi zhvillimet rajonale dhe globale me interes të përbashkët”.

Diskutimet midis Vance dhe Modi ka të ngjarë të përqendrohen në përparimin e agjendës dypalëshe të përcaktuar në shkurt gjatë vizitës së Modit në SHBA. Kjo axhendë përfshin “drejtësinë” në tregtinë e tyre të dyanshme dhe zgjerimin e partneritetit të tyre të mbrojtjes.

“Ne jemi shumë pozitivë që vizita do t’i japë një shtysë të mëtejshme lidhjeve tona dypalëshe,” tha Ministria e Jashtme indiane.

Çfarë ka për Indinë?

SHBA është partneri më i madh tregtar i Indisë. Sipas të dhënave të qeverisë amerikane, tregtia dypalëshe e të dy vendeve arriti në 129 miliardë dollarë (113 miliardë euro) në vitin 2024, me një suficit prej 45.7 miliardë dollarësh në favor të Indisë.

Modi ishte ndër liderët e parë botërorë që u takua me Trump pasi ai mori detyrën për herë të dytë. Qeveria indiane ka propozuar gjithashtu uljen e tarifave për më shumë se gjysmën e importeve të saj nga SHBA. Ndërsa Mondi dhe Trump ndajnë një raport të mirë, presidenti amerikan ka vazhduar ta quajë Indinë një “abuzues të tarifave” dhe “mbret tarifash”. Trump deklaroi një tarifë prej 26% për importet indiane në Shtetet e Bashkuara, të cilat tani janë ndalur, duke u dhënë lehtësim të përkohshëm eksportuesve indianë. Me vizitën e Vance në Indi, Nju Delhi shpreson të sigurojë një marrëveshje tregtare brenda pauzës 90-ditore. Vizita e Vance po shihet gjithashtu si një mundësi që India të presë Trump më vonë këtë vit për samitin e liderëve të grupit Quad që përfshin Indinë, Australinë, Japoninë dhe SHBA-në.