Lajme

LDK: Kishte kuorum, VV shkeli rregulloren – po bllokon konstituimin e Kuvendit

04/17/2025 14:02
nga:G B

LDK ka reaguar pas dështimit të seancës, raporton Gazeta Blic.

Kjo parti ka thënë se pati kuorum dhe VV tregoi se po bllokon konstituimin e Kuvendit dhe formimin e institucioneve.

KOMUNIKATË PËR MEDIE

Sërish Lëvizja Vetëvendosje bllokoi seancën e konstitutimit të Kuvendit.

Të njëzet deputetët e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës ishin prezent. Fatkeqësisht, kryesuesi i kësaj seance, nga radhët e LVV-së, shkeli Rregulloren e Kuvendit duke thirrur fillimisht për konsultime politike, pa qenë i autorizuar dhe pa pasur mandat për një gjë të tillë.

Skenari i mbledhjes konstituive nuk u respektua, ani pse kishte kushte që të vazhdonin aty ku ishte ndërprerë kjo seancë më 15 prill. Prezent ishin 100 deputet, pra kishte kuorum për të vazhduar me votimin e raportit të Komisionit, aty ku ishte ndërprerë seanca.

Veprimet e sotme të LVV-së shpërfaqin bllokimin e tyre faktik për konstituim të Kuvendit dhe themelim të institucioneve.