Lajme

Haradinaj kujton martirët e Lubizhdës së Hasit dhe dëshmorët e Brigadës 133

04/12/2025 12:58
nga:Y I

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kujtuar sot dëshmorët e Brigadës 133 “Adrian Krasniqi” dhe martirët e Lubizhdës së Hasit, në përvjetorin e rënies së tyre gjatë luftës çlirimtare.

Përmes një postimi në rrjetin social, Facebook, Haradinaj shkroi se Brigada 133 ‘Adrian Krasniqi’ e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj ishte shtyllë e fortë e luftës për liri.

Ai kujtoi me krenari luftëtarët e rënë më 12 dhe 13 prill 1999, duke përmendur me emër dëshmorët që u përjetësuan në këto ditë: Ismet Bicaj, Skënder Maraj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Bujar Visoqi, Abedin Dervishaj, Smajl Fetahaj, Xhafer Haskaj, Sylë Çeta, Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Sami Gashi dhe Njomëza Lipaj.

Në këtë përvjetor, Haradinaj nderoi edhe dëshmorin e kombit Ekrem Dili, i cili ra në mbrojtje të territorit dhe popullatës, duke u bërë pjesë e përjetshme e lavdisë kombëtare.

Shkrimi i plotë:

Brigada 133 “Adrian Krasniqi” e Zonës Operative të Dukagjinit, që nga themelimi i saj, ishte shtyllë e fortë e luftës për liri. Me trimërinë dhe betejat e saj, ajo nderoi emrin e heroit Adrian Krasniqi dhe gjithë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.

Në prillin e vitit 1999, luftëtarët e kësaj brigade me heroizmin e tyre në beteja i treguan armikut se pranvera e ardhshme do ta gjejë Kosovën të lirë. Me krenari kujtojmë luftëtarët e kësaj brigade që u përjetësuan më 12 dhe 13 prill; Ismet Bicaj, Skënder Maraj, Xhafer Mehmetaj, Izet Shatri, Nezir Mujaj, Bujar Visoqi, Abedin Dervishaj, Smajl Fetahaj dhe Xhafer Haskaj, Sylë Çeta, Qazim Hakaj, Nexhmedin Hakaj, Sami Gashi dhe Njomëza Lipaj.

Në përvjetorin e rënies, nderojmë kujtimin për dëshmorin e kombit Ekrem Dili.

I vendosur me shokët e tij të idealit për të mbrojtur territorin dhe popullatën, Ekremi u flijua për lirinë, duke u bërë pjesë e përjetshme e lavdisë sonë kombëtare.

Po atë prill të vitit 1999, për disa ditë me radhë, mbi fshatin Lubishdë të Hasit u krye një nga mizoritë më të rënda të luftës. Mbi 40 shqiptarë, shumica të rinj në moshë, u ekzekutuan mizorisht nga forcat serbe. Ky akt barbar mbetet një plagë e thellë dhe një kujtesë e përhershme për çmimin e lirisë sonë.

Liria erdhi disa muaj më pas, e ne nuk harrojmë sakrificën e të rënëve, sakrificë e cila na motivon për të punuar për Kosovën e fortë e të mirëqenë, siç e ëndërruan ata.

Lavdi e përjetshme të rënëve për liri!